Feeds:
Posts
Comments

KAPTER

Emrin KAPTER, me kuptimin “Gradë nënoficeri e shkallës së dytë, më e lartë se e rreshterit; ushtaraku që mban këtë gradë (në ushtritë që kanë grada)”, Çabej (SE V) e ka shpjeguar etimologjikisht si të “sajuar pas rreshter, toger e pas gjase nën ndikim të kapiten-it”. Këtë shpjegim e ka rimarrë edhe Topalli në Fjalorin e tij etimologjik, duke e cilësuar fjalën si “krijim i brendshëm në fushën e terminologjisë ushtarake”. Më gjasë ka që fjala të ketë hyrë në shqipe nga rusishtja каптёр, каптeр (shqiptuar kaptjor, kapter), me kuptimin “magazinier” (në një repart ushtarak); një galicizëm, të cilin e shpjegojnë si shkurtim të frëngjishtes capitaine d’armes. Huazimi do të ketë ndodhur në periudhën kur ushtarakët sovjetikë dhe ushtarakët shqiptarë të shkolluar në Bashkimin Sovjetik merreshin me organizimin (logjistikën) e ushtrisë Shqiptare.

Advertisements

 

Tek etimologjitë e Çabejt, gjej fjalën bajkush, që sipas tij “përdoret në Gjirokastër për një njeri që rri fshehur ose mënjanë.” Çabej e shpjegon këtë nga turqishtja baykuş “kukuvajkë”, duke shtuar se ka hyrë edhe në bullgarishten. Unë kam dëgjuar, nga nëna ime, me të njëjtin kuptim, shprehjen Bajo fshehuri – në përdorime të tipit je bërë si Bajo fshehuri, mbete brenda si Bajo fshehuri, të cilat me gjasë e krahasojnë sjelljen e dikujt me të një Bajoje, që rri “fshehur”.

Continue Reading »

 

Fjalën QOSHK, me kuptimet “1. Kënd, skaj, qoshe; 2. Kthinë e dalë përtej murit të shtëpisë; 3. Barakë a dyqan i vogël për të shitur gazeta, etj.” Dizdari e jep si të ardhur nga turqishtja KÖŞK (e shkruan KÖSK, por do të jetë gabim shtypi); nuk është e njëjta fjalë me KÖŞE, e cila ka dhënë shqipen QOSHE, edhe pse të dyja këto, në turqishte, i sjellin si me të njëjtën origjinë nga persishtja. Për t’u shënuar se turqishtja KÖŞK ka shtegtuar pastaj në shumë gjuhë europiane, me gjasë në shekullin XVII, për të dhënë fjalë si KIOSQUE (fr.), CHIOSCO (ita.), KIOSK (angl. & gjerm.), etj., term i arkitekturës për një ndërtesë zbukuruese në parqe dhe kopshte (GAZEBO, BELVEDERE); dhe më pas një barakë për shitje artikujsh të konsumit të përditshëm, zakonisht në një vend publik – të tilla si gazetat, pije freskuese, etj. Që këtej ka hyrë sërish në shqipe, si KIOSK. Me të njëjtën origjinë, QOSHK dhe KIOSK kanë hyrë në shqipe me rrugë të ndryshme, në kohë të ndryshme.

Continue Reading »

Kush si unë ka pasë mbledhur pulla poste në vitet 1960-1970, do t’i mbajë mend fjalët spiloj, spilohet, e spiluar, që përdoreshin me kuptimin tejet teknik të një pulle të dëmtuar – pse ishte hequr keq nga zarfi dhe ishte pjesërisht e grisur, i mungonte një a më shumë dhëmbëza, ose vinte pak e rrjepur, pse shtresa e poshtme i kish mbetur e ngjitur në zarf. Më dendur përdorej mbiemri prejpjesor, e spiluar, për një pullë kësisoj të dëmtuar, që vlente më pak se të tjerat. Kur na qëllonte të hiqnim ndonjë pullë nga një zarf, duhej të bënim kujdes që të mos e “spilonim”, për ç’arsye edhe e futnim më parë pjesën e zarfit me pullën sipër në ujë të ngrohtë, që të zbutej zamku, pastaj e hiqnim pullën nga zarfi dhe e linim diku të thahej. Heqja “në të thatë” nuk rekomandohej, sepse ashtu pjesë të pullës do të mbeteshin të ngjitura në zarf.

spiluar

Continue Reading »

Sharabajka

Sipas Fjalorit të shqipes së sotme, fjala sharabajkë, e cilësuar si krahinore, ka kuptimin “karrocë me katër rrota, që tërhiqet nga dy kuaj.” Shqipja do ta ketë marrë – me ndërmjetësimin e ndonjë gjuhe tjetër, përfshi edhe gjuhën Romani (të romëve) – nga frëngjishtja char à banc që e ka edhe anglishtja charabanc, literalisht, “karrocë me vende për t’u ulur” (Kolec Topallit i ka shpëtuar lidhja me fjalën frënge, dhe e nxjerr fjalën shqipe si me etimologji të paqartë, duke shtuar ndonjë sugjerim që nuk qëndron, si parashtesën çarra-, lidhjen me pjesoren e foljes baj ose, alternativisht, emrin barkë). Mbase ngaqë kjo lloj karroce lëkundej në të ecur ose ecte shëmtuar, ose për ndonjë arsye tjetër të ngjashme, fjala ka marrë edhe kuptimin figurativ “grua që s’e mban veten mirë në të veshur e në pastërti”, që edhe ky sot më tingëllon i vjetruar. Por unë e mbaj mend të përdorur, në fëmijërinë time në vitet 1960-1970, si sharje dhe fjalë përbuzëse për vajzat dhe ndoshta gratë jo tërheqëse (në të folmen qytetëse të Tiranës); tashmë të shtrembëruar me etimologji popullore në shurrabajgë ose si një kompozitë e dy emrave ekskrementalë, shurrë dhe bajgë (shurrë-a-bajgë). Me gjasë, nga ky ri-etimologjizim popullor që ka prekur vetëm përdorimin e fjalës si sharje, do të ketë dalë në atë kohë edhe sharja shurrë, që ka qenë përdorur (por shpresoj të mos përdoret më), të paktën mes kalamajve, për një vajzë jo tërheqëse, që nuk vishet as mbahet mirë ose që nuk tregon interes për djemtë.

001

Në përgjigje të shënimit tim për kulufruthin, mikja dhe kolegia Ledi Shamku më la këtë koment në Facebook:

ç’më çove mall me këto fjalë që i kam ndi kushsa herë poshtë tanës rrushit t’oborrit tim, xhep i nji rrugice qorre fare afër sates rrugicë po ashtu e verbët 😂

Atëhere: po dëshmoj si i kam ni un: sa herë që n’vapë unë e moma Feti gatunim te kuzhina verore n’fund t’oborrit e duhej me i nej gjellës ke kryet pra zjermit cipër, moma vente dorën te gusha edhe shfrynte:
– Qyqja na dul kulufruthi. Morëm yll, për Zotin!
– Mome, ça o kulufruthi?
– T’kuqtë e modh, nji gjo si fruthi po mo e sertë.

“Me ta knu kulufruthin” nuk e kam ni prej saj, po ne gjithë ato kontekste që ke shënuar ti në analizë, ajo thoshte: “me ta knu KËLHUQEN”. Se ça ishte kjo KËLHUQJA e se ça muzike e shoqnonte, kët s’e di.

Çfarë e fut kulufruthin në një kategori me fruthin – madje moma Feti nuk lë shteg për diskutim, kur shpjegon se kulufruthi është “t’kuqtë e modh, nji gjo si fruthi po mo e sertë”.

Continue Reading »

Kulufruthi

E mbaj mend nga fëmijëria shprehjen “ia këndoi kulufruthin”, por nuk më kujtohet dot kuptimi i saj; ka qenë e tironçes të rrugës, dhe kështu me intuitë anoj ta interpretoj si “i bërtiti, e bëri për një lek (qepaze)”, edhe pse kjo nuk më ndihmon gjë për kuptimin e fjalës kulufruth – që gjithsesi e ruan lidhjen me fruth. Por fruthi është sëmundje, ndërsa kulufruthi diçka që, origjinalisht, është kënduar – ndoshta një lloj kënge rituale ose formule.

Continue Reading »