Feeds:
Posts
Comments

Archive for May, 2019

Sipas Fjalorit të shqipes së sotme, fjala sharabajkë, e cilësuar si krahinore, ka kuptimin “karrocë me katër rrota, që tërhiqet nga dy kuaj.” Shqipja do ta ketë marrë – me ndërmjetësimin e ndonjë gjuhe tjetër, përfshi edhe gjuhën Romani (të romëve) – nga frëngjishtja char à banc që e ka edhe anglishtja charabanc, literalisht, “karrocë me vende për t’u ulur” (Kolec Topallit i ka shpëtuar lidhja me fjalën frënge, dhe e nxjerr fjalën shqipe si me etimologji të paqartë, duke shtuar ndonjë sugjerim që nuk qëndron, si parashtesën çarra-, lidhjen me pjesoren e foljes baj ose, alternativisht, emrin barkë). Mbase ngaqë kjo lloj karroce lëkundej në të ecur ose ecte shëmtuar, ose për ndonjë arsye tjetër të ngjashme, fjala ka marrë edhe kuptimin figurativ “grua që s’e mban veten mirë në të veshur e në pastërti”, që edhe ky sot më tingëllon i vjetruar. Por unë e mbaj mend të përdorur, në fëmijërinë time në vitet 1960-1970, si sharje dhe fjalë përbuzëse për vajzat dhe ndoshta gratë jo tërheqëse (në të folmen qytetëse të Tiranës); tashmë të shtrembëruar me etimologji popullore në shurrabajgë ose si një kompozitë e dy emrave ekskrementalë, shurrë dhe bajgë (shurrë-a-bajgë). Me gjasë, nga ky ri-etimologjizim popullor që ka prekur vetëm përdorimin e fjalës si sharje, do të ketë dalë në atë kohë edhe sharja shurrë, që ka qenë përdorur (por shpresoj të mos përdoret më), të paktën mes kalamajve, për një vajzë jo tërheqëse, që nuk vishet as mbahet mirë ose që nuk tregon interes për djemtë.

001

Read Full Post »