Feeds:
Posts
Comments

Archive for December, 2009

Urdhëroren mohore shqipja e shpreh zakonisht me ndërtime që përmbajnë pjesëzën mos.

Kjo vlen edhe në ato kontekste ku mohohet ose refuzohet një akt, jo një thënie e mëparshme.

Për shembull, Rromeoja i afrohet Zhuljetës për ta puthur. Zhuljeta e shtyn me dorë dhe i thotë:

Mos.

Në vija të trasha, kjo mos i përgjigjet anglishtes don’t; dhe kuptimi, në të dy rastet është “mos e bëj këtë”, ose “don’t do it.”

Këtu mos mund të shkëmbehet me jo; edhe pse jo nuk nënkupton ndërtime foljore dhe përgjithësisht nuk e kryen mirë funksionin e ndërfaqes (interface) ose kontaktit midis kontekstit jashtëgjuhësor dhe ligjërimit.

Përndryshe, në shumë kontekste, shqipja e folur parapëlqen të përdorë, në vend të mos, urdhëroren njëjës të foljes rri.

(more…)

Read Full Post »

Kur foljet kalimtare përdoren në ndërtime pa kundrina të drejta, ky quhet ndonjëherë përdorim absolut.

Të krahasohet:

Çfarë po bën? Po lexoj gazetën.

Çfarë po bën? Po lexoj.

Përdorimi i dytë është absolut; vetëkuptohet se folësi është duke lexuar diçka, por kjo diçka nuk specifikohet më tej, sepse gjykohet si e parëndësishme në raport me veprimin vetë.

(more…)

Read Full Post »

Mënyra habitore e foljes përdoret rëndom për të përcjellë ligjëratën e zhdrejtë, ose në funksion “rrëfimor” (modaliteti i thashethemit).

Të krahasohen dy thëniet e mëposhtme:

Mora vesh se Lutfiu është ndarë nga gruaja.

Më thanë në pazar se Lutfiu qenka ndarë nga gruaja.

E dyta përmban një habitore; e cila nuk shpreh doemos habinë e folësit, por më shumë distancimin e tij nga vërtetësia e çka po raportohet. Me fjalë të tjera, folësi nuk bëhet garant për çfarë po thotë; e vërtetë është vetëm që atij i kanë thënë në pazar se Lutfiu është ndarë nga gruaja, por nëse kjo ka ndodhur vërtet, nuk dihet.

(more…)

Read Full Post »

Një përdorim kureshtar i lidhëzës sikur (tashmë si pjesëz), në ndërtimet e mëvetësishme më poshtë:

Sikur na flihet.

Sikur të fillonim me detyrat e shtëpisë tani?

Sikur na hahet ndonjë akullore.

Sikur nuk ka lezet t’i shkojmë duarbosh.

Një krahasim me të njëjtat thënie pa sikur-in në krye, ndihmon për të kuptuar funksionin e saj në këtë kontekst:

Na flihet.

Të fillonim me detyrat e shtëpisë tani?

Na hahet ndonjë akullore.

Nuk ka lezet t’i shkojmë duarbosh.

Fjali të tilla përmbajnë zakonisht një propozim, ose ftesë implicite për të bërë diçka së bashku. Pjesëza sikur, në këtë rast, sjell me vete një element zbutës ose relativizues.

Folësi kërkon solidaritetin ose bashkëpunimin e tjetrit, për çka po propozon.

(more…)

Read Full Post »

Kujtoj

Folja kujtoj në shqipe bën pjesë, së paku me një nga kuptimet e saj, në grupin e atyre foljeve që i kanë quajtur faktive, meqë parakuptojnë vërtetësinë e pohimit ndjekës.

Shembull tipik i një foljeje faktive është marr vesh, në kuptimin “mësoj”, “njoftohem” si në fjalinë:

Mora vesh që rrugët ishin bllokuar nga bora.

Këtu, fakti që “rrugët ishin bllokuar nga bora” konsiderohet, prej folësit, si i vërtetë; dhe këtë na e kumton pikërisht folja mora vesh. Përndryshe, me një folje tjetër:

Më thanë se rrugët ishin bllokuar nga bora.

I njëjti fakt nuk tingëllon më aq i vërtetë sa më parë; meqë vërtetësia këtu varet nga besueshmëria e zanafillës ose burimit të informacionit (ose kujt “ka thënë”).

(more…)

Read Full Post »