Kur pata kaluar një herë në Nieuwe Kerkstraat në Amsterdam, hollandishtja ime tejet rudimentare më ndihmoi megjithatë të kuptoja se kjo kerk nuk ishte veçse simotra e anglishtes church dhe e gjermanishtes Kirche, njëlloj siç ishte nieuwe simotër e anglishtes new dhe e gjermanishtes neu, dhe po ashtu straat simotër e anglishtes street, gjermanishtes Strasse dhe madje italishtes strada (të gjitha këto vijnë nga latinishtja strata).
Një simotër të Kerk a të Kirche e kisha gjetur edhe te mbiemri i filozofit danez Kierkegaard, ku pjesën e dytë, –gaard, priresha ta lexoj nëpërmjet anglishtes guard, duke ia deshifruar kështu Sørenit mbiemrin si “roje e kishës” dhe duke supozuar se roja e kishës do të kish qenë ndonjë lloj zanati dikur; aq më tepër që, po ta mendoja edhe më hollë, “roje e kishës” i shkonte edhe simbolikisht Kierkegaard-it, teolog që u mor me etikën e krishterë dhe institucionin e Kishës dhe marrëdhënien e njeriut me Zotin.
Fatmirësisht nuk ia thashë kujt këtë etimologji, sepse – si shpesh në raste të tilla frymëzimi – ia kisha futur kot. Ajo -gaard, si pjesë e dytë e kompozitës së mbiemrit, nuk kish qenë “roje”, por “fermë, shtëpi fshati, oborr, pronë toke,” dhe vetë fjala kierkegaard që u bë pastaj mbiemër familjeje, shënjonte në krye “tokat e kishës”. Në danishte, fjala sot shkruhet si gård (duke qenë gaard një formë e vjetruar). Një kuriozitet: kjo gård/gaard, së bashku me gærde “gardh”, vijnë nga një formë më e vjetër garðr, e cila i referohet proto-indoeuropianishtes *gʰórdʰos; e njëjta rrënjë që ka dhënë shqipen gardh. Fjalë të tjera që i referohen kësaj rrënje janë anglishtja garden, anglishtja yard, latinishtja hortus, lituanishtja gar̃das.
(c) 2023 Shqipologji™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Leave a comment