Feeds:
Posts
Comments

Archive for October, 2021

Shkrimi i fundit i Adrian Beshajt, për disa përdorime të fjalëve të çerdhes së mbiemrave minimal dhe maksimal në shqipe, më solli në mend një kuriozitet – por edhe kundërti – në lidhje me shprehjet e tipit ul në minimum dhe ul në maksimum në shqipe, meqë disa kanë sjellë argumentin se njëra prej këtyre përmban një gabim logjik. Më shumë se për shprehje specifike, këtu kemi të bëjmë me një formulë, e cila pastaj materializohet në reduktoj në minimum/reduktoj në maksimum, pakësoj në minimum/pakësoj në maksimum, kufizoj në minimum/kufizoj në maksimum, thjeshtoj në minimum/thjeshtoj në maksimum, shkurtoj në minimum/shkurtoj në maksimum, etj.; lexuesi do të ketë me siguri shembuj të tjerë të ngjashëm. Tani, të marra në vetvete, në minimum dhe në maksimum janë kuptimisht të kundërta, meqë minimum shënjon diçka më të vogël të mundshme, ndërsa maksimum diçka më të madhe të mundshme; e megjithatë, ul në minimum dhe ul në maksimum janë sinonime, sikurse çiftet në shembujt e tjerë më lart. Në pamje të parë, njëri nga përdorimet duket të jetë i gabuar; por në fakt të dyja janë logjikisht të pranueshme; dhe kjo ka lidhje me profilin semantik të foljeve si ul, reduktoj, pakësoj, kufizoj, të cilat i referohen një procesi zakonisht të vijueshëm, gjatë së cilit kalohet nga një vlerë më e lartë te një vlerë më e ulët, pra duke ndjekur një trajektore zbritëse; dhe këtu ul në minimum do të thotë që ta çosh këtë trajektore deri në pikën më të ulët; nga ana tjetër, vetë ulja, si proces i ndryshimit të një madhësie, ka shpejtësinë dhe shkallën e vet, në kuptimin që është logjike edhe të flasësh për një maksimum të shpejtësisë ose të shkallës së uljes, që këtej edhe ul në maksimum, me kuptimin që “më shumë nuk e ul dot”, ose kufizoj në maksimum me kuptimin që “më shumë nuk e kufizoj dot”; duke shënjuar kjo në maksimum jo sasinë e madhësisë të ndryshuar nga ulja, por shkallën ose shpejtësinë e ndryshimit.

Read Full Post »