Para disa ditësh, shkrova një ese të shkurtër për shprehjen “me një gur vras dy zogj” në gjuhën shqipe, ku mes të tjerash përmenda edhe shprehje të barasvlershme në gjuhë të tjera europiane.
Këto krahasime dhe tabela, edhe për këtë shprehje, gjenden lirisht online; unë vetëm sa i përmenda.
Aty vura re edhe se europianët, për të treguar efikasitetin e lartë të një veprimi, përdorin në thelb tre metafora: dy zogj, dy lepuj ose dy miza. M’u duk me interes t’i shënoja këto metafora në një hartë, për të vizualizuar shpërndarjen e tyre.
Hartën e kam sjellë më lart; për ta parë, këshilloj që ta hapni në një ekran të madh.
Natyrisht edhe hartat e shpërndarjes së kësaj shprehjeje gjenden lirisht online – i vetmi kontribut “origjinal” imi është që kam përdorur imazhe jo fjalë, për të treguar shpërndarjen.
Lexuesi do të shohë menjëherë se zogjtë janë të shpërndarë në perëndim dhe në jug, lepujt në lindje, dhe mizat në qendër të kontinentit.
Polonishtja bën përjashtim, sepse polakët përdorin një shprehje tjetër; portugalishtja është një outlier; ndërsa italishten e kam futur te zogjtë, edhe pse shprehja në italishte largohet nga modeli – flet për bathë dhe pëllumba. Por koncepti është po ai, sa kohë që pëllumbat janë zogj.
Nuk ka nevojë të jesh linguist, për të parë se shpërndarja e zogjve i referohet sferës kulturore greko-romake (ku përfshihet edhe shqipja), ajo e mizave ndërhyrjes dhe ekspansionit kulturor gjermanike në zemër të kontinentit, ndërsa ajo e lepujve sllavishtes. Ndikimi gjermanik shkon deri në gjuhët sllave të Jugut, ndërsa ai greko-latin prek edhe turqishten.
Historianët e gjuhëve e dinë që frazeologjitë – ose shprehjet idiomatike – qarkullojnë më lirshëm se njësitë leksikore; ndodh që gjuhë, heterogjene për nga origjina, të afrohen me njëra-tjetrën veçanërisht falë idiomatikës së përbashkët; ose mënyrës si e “lexojnë” botën nëpërmjet metaforave.
Qarkullimi i shprehjeve të tilla ndodh nëpërmjet kontaktit kulturor dhe bilinguizmit; frazeologjitë janë diçka si alegori të eksperiencës, ose metafora të ngrira – aq sa përhapjen e tyre mund ta krahasosh me përhapjen e përrallave, të bestytnive, të legjendave dhe të këngëve.
Materiali gjuhësor – leksiku dhe gramatika – ndryshojnë, por forma kuptimore mbetet e njëjta. Folësit e kapërcejnë pengesën ndër-gjuhësore dhe e adoptojnë frazeologjinë (idiomën) si të ishte një lloj teknologjie për të kuptuar botën.
© 2024 Shqipologji™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Leave a comment