Feeds:
Posts
Comments

Archive for June, 2019

 

Fjalën QOSHK, me kuptimet “1. Kënd, skaj, qoshe; 2. Kthinë e dalë përtej murit të shtëpisë; 3. Barakë a dyqan i vogël për të shitur gazeta, etj.” Dizdari e jep si të ardhur nga turqishtja KÖŞK (e shkruan KÖSK, por do të jetë gabim shtypi); nuk është e njëjta fjalë me KÖŞE, e cila ka dhënë shqipen QOSHE, edhe pse të dyja këto, në turqishte, i sjellin si me të njëjtën origjinë nga persishtja. Për t’u shënuar se turqishtja KÖŞK ka shtegtuar pastaj në shumë gjuhë europiane, me gjasë në shekullin XVII, për të dhënë fjalë si KIOSQUE (fr.), CHIOSCO (ita.), KIOSK (angl. & gjerm.), etj., term i arkitekturës për një ndërtesë zbukuruese në parqe dhe kopshte (GAZEBO, BELVEDERE); dhe më pas një barakë për shitje artikujsh të konsumit të përditshëm, zakonisht në një vend publik – të tilla si gazetat, pije freskuese, etj. Që këtej ka hyrë sërish në shqipe, si KIOSK. Me të njëjtën origjinë, QOSHK dhe KIOSK kanë hyrë në shqipe me rrugë të ndryshme, në kohë të ndryshme.

(more…)

Read Full Post »

Kush si unë ka pasë mbledhur pulla poste në vitet 1960-1970, do t’i mbajë mend fjalët spiloj, spilohet, e spiluar, që përdoreshin me kuptimin tejet teknik të një pulle të dëmtuar – pse ishte hequr keq nga zarfi dhe ishte pjesërisht e grisur, i mungonte një a më shumë dhëmbëza, ose vinte pak e rrjepur, pse shtresa e poshtme i kish mbetur e ngjitur në zarf. Më dendur përdorej mbiemri prejpjesor, e spiluar, për një pullë kësisoj të dëmtuar, që vlente më pak se të tjerat. Kur na qëllonte të hiqnim ndonjë pullë nga një zarf, duhej të bënim kujdes që të mos e “spilonim”, për ç’arsye edhe e futnim më parë pjesën e zarfit me pullën sipër në ujë të ngrohtë, që të zbutej zamku, pastaj e hiqnim pullën nga zarfi dhe e linim diku të thahej. Heqja “në të thatë” nuk rekomandohej, sepse ashtu pjesë të pullës do të mbeteshin të ngjitura në zarf.

spiluar

(more…)

Read Full Post »