Feeds:
Posts
Comments

Archive for December, 2019

Panuklla

Fjala PANUKËLL, PANUKLLA sot ka mbijetuar më shumë në mallkimin “(të) shp(ë)laftë panuklla” (me versione të ndryshme) të ligjërimit bisedor dhe thjeshtligjërimit, edhe pse folësit si rregull nuk ia dinë kuptimin fjalës vetë. FGJSSH nuk e ka. Topalli, te Fjalori etimologjik, e jep me kuptimet “pece, shtupë, sukull, copë rrobe me të cilën lahet trupi i të vdekurit para varrimit (sipas how_the_plague_reshaped_the_world_1050x700ritit islamik)” dhe e ilustron edhe ai me mallkimin të shpëlaftë panuklla, duke e cilësuar si “fjalë krahinore të Elbasanit”. Mendon se “mund të jetë huazim prej italishtes panno “leckë, pece, copë pëlhure”, pannicolo “membranë”. Ndërkohë, në greqishte, πανούκλα (panúkla) ka kuptimin “murtajë” (sëmundja); po ashtu edhe në aromanishtja (vllahishtja) panukle. Brenda mallkimit “të shp(ë)laftë panuklla”, kjo fjalë pranon edhe kuptimin “leckë me të cilën lahet trupi i të vdekurit”, edhe kuptimin “murtajë”. Te mallkimi më lart, kuptimi “murtajë” tingëllon më bindës për arsye mirëfilli semantike – si sëmundje, murtaja ka më shumë “agjenci” se lecka me të cilën lajnë të vdekurit, prandaj edhe mund të përdoret më lehtë si kryefjalë; me kuptimin e dytë, do të pritej diçka si “të shplafshin me panukëll” (khs. “të prufshin në pallto”). Meqë fjala përdoret në Elbasan, ka të ngjarë të jetë huazim nga arumanishtja panukle me kuptimin “murtajë”; ndërsa shpjegimi i drejtpërdrejtë i shqipes nga italishtja pannicolo nuk bind nga pikëpamja formale; por edhe huazimi i drejtpërdrejtë nga greqishtja nuk përjashtohet. Me gjasë, arumanishtja e ka marrë fjalën nga greqishtja; ose edhe arumanishtja edhe greqishtja janë reflekse të fjalës latine (mesjetare), siç thotë Çabej (SE VI, te lema pe).

Read Full Post »

Këtë fjalë, me kuptimin “duq me të cilin hapet e mbyllet rrjedha e një lëngu a e një gazi” (Topalli) nuk e kanë as fjalori i 1954-ës, as ai i 1980-ës, edhe pse përdoret rëndom në industri dhe në ligjërimin popullor, për të shënuar një lloj valvule me obstruksion mekanik; por që ndryshon nga rubineti, sepse nuk kontrollon gjë derdhjen e lëngut.

Sara

Kolec Topalli, te Fjalori etimologjik, e shpjegon si “huazim i ri nga italishtja saracinesca, prej emrit të popullsisë arabe të saraçenëve në periudhën e kryqëzatave”, edhe pse, e thënë kështu, nuk kuptohet se çfarë lidhje ka kontrolli i rrjedhës në një tub, me saraçenët e Mesdheut në Mesjetë. Në fakt, në italishte saracinesca ka shënuar një lloj porte të kështjellës, ose të mureve rrethuese të një qyteti a të një ndërtese të fortifikuar, që mund të ngrihej ose të ulej me zhinxhirë. Mendohet se kjo lloj porte përdorej nga saraçenët, në fortesat e tyre; ose, anasjelltas, përdorej në kohën kur vendësit mbroheshin prej inkursioneve të saraçenëve. Në italishte, saracinesca shënjon edhe qepenët e dyqaneve dhe një lloj grile dritaresh, (e quajtur edhe persiana), për shkak të mekanizmit të njëjtë që përdoret për t’i lëvizur dhe funksionit të ngjashëm.

Bibliografia:

Topalli, Kolec, “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe.”
Enciclopedia Treccani, zëri saracinesca.

Read Full Post »