Feeds:
Posts
Comments

Kikirik

Një mik i palodhur për punë historish kulturore të fjalëve (G.Ç.), më kujtoi se shqipja kikirik vjen nga italishtja chicchi ricchi, “kokrra të pasura” – etimologji ndoshta e saktë, por që ka nevojë për kontekst që ta përligjë.

Veç shqipes, këtë kikirik e kanë edhe serbo-kroatishtja, maqedonishtja e ndonjë gjuhë tjetër sllave në Ballkan. Sipas Kolec Topallit, që u referohet burimeve përkatëse (Gazulli, Ndreca), këto gjuhë sllave mund të kenë ndërmjetësuar, për hyrjen e fjalës në shqipe – edhe pse baza, sipas tij, mbetet italishtja chicchi ricchi.

Kikirik, ka hyrë në shqipe si fjalë kulture ose tregu – emër i një produkti ushqimor të gatshëm; përndryshe, shqiptari nuk e ka njohur dhe aq më pak kultivuar bimën e kikirikut, arachis hypogaea, me origjinë nga përtej Oqeanit.

Continue Reading »

Banakier

Kjo fjalë, BANAKIER, qartazi rrjedh nga BANAK, por me prapashtesën jo shumë produktive -IER, që ka hyrë në shqipe me emra si BANKIER, FINANCIER e KARROCIER, të gjitha huazime të reja nga italishtja – teksa BANAKIER është formim i brendshëm i shqipes. Tema BANAK, e përkufizuar në FGJSSH si “Tryezë e posaçme, e gjatë dhe e ngushtë, e mbyllur përpara e lart zakonisht me xham, ku mbahen mallrat që shiten ose ku jepen pijet, ëmbëlsirat, cigaret etj. në një birrari, në një bar-bufe, në një restorant, etj.” (angl. counter) dhe pastaj edhe si “Tryeza ku punon zdrukthëtari; pjesë e rrafshët si tryezë në një makinë për punimin e drurit dhe të metalit. Banaku i zdrukthëtarit. Banaku i sharrës”, është e afërt me BANKË, por ajo vetë, BANAK, ka hyrë në shqipe (sipas Çabejt, SE 2) nga serbishtja, në krye si fjalë dialektore e gegërishtes veriore, por pastaj e përgjithësuar; në konkurrencë edhe me BANGO, që është e toskërishtes dhe duket se rrjedh drejtpërdrejt nga greqishtja μπάνγκος, e cila vetë nga italishtja BANCO. Continue Reading »

Mbrëmë

Ndajfolja MBRËMË me kuptimin “last night” është nga ato fjalë që gjuhësia i cilëson si DEIKTIKE, meqë kuptimi i tyre nuk mund të shkëputet nga pikëvështrimi subjektiv i pjesëmarrësve në komunikim (të tilla janë edhe KËTU, TANI, SOT, NESËR); kjo do të thotë se mund t’u referohet lirisht datave të ndryshme, në varësi të momentit kur shqiptohet (khs edhe SONTE, që është tkurrje e KËSO NATE dhe CAHERË e disa të folmeve të toskërishtes, me kuptimin “sonte në mbrëmje (por më herët se sonte)”, dhe që Çabej (SE3) dhe në pajtim me Pedersenin, e nxjerr nga një pranëvënie “ca herë, disa herë, disa kohë”, një shpjegim që nuk bind, për shkak të kalimit kuptimor të pagjasë).
Continue Reading »

Nxemje

(c) 2023 Ardian Vehbiu & Shqipologji™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.



Mbaj mend nga ora e fizkulturës në shkollë: përgatitjen e trupit për ushtrime ose për një lojë, nëpërmjet lëvizjeve të lehta, e quanin NXEMJE. Shoh tani se FGJSSH e ka lënë fjalën jashtë, me gjasë duke e parë si versionin jonormativ të NXEHJE; dhe në fakt, te përkufizimi i kësaj të fundit, lexoj: “Lëvizje të shpejta e të shkathëta, që bëjnë sportistët para një ndeshjeje a gare. Bëjnë nxehjen. Vrapojnë për të bërë nxehjen.” Por NXEMJE mund të ishte ruajtur krahas NXEHJE pa i prekur gjë normës leksikore; madje përkundrazi, duke dëshmuar aftësitë e kësaj norme leksikore për të mos ia mbyllur dyert pasurimit të leksikut me variante. Morfologjikisht, NXEMJE dhe NXEHJE janë të barasvlershme – të dyja përdorin prapashtesën -JE për të përftuar një emër abstrakt prejfoljor të veprimit. Arsyeja për diferencim ka të bëjë me kuptimin jo formën. Në fakt, kuptimi i përgatitjes së trupit për aktivitet fizik intensiv (angl. WARM-UP) mungon në kuptimet që rreshtohen te folja NXEH dhe derivati i saj NXEHEM; çfarë më lë të kuptoj se fillesa “warm-up” në përkufizimin e NXEHJE thjesht është trashëguar nga NXEMJE, nëpërmjet një operacioni kozmetik të “toskëzimit” të një fjale gege. Kjo është një nga ato efekte të normëzimit që i pështjellon përdoruesit, sepse duket sikur standardi ka licencë për t’i kapur në rrjetë dhe pastaj veshur fjalët e gegnishtes me uniformë, nëpërmjet rekrutimit normativ. Edhe pa e njohur terminologjinë e sportit dhe të gjimnastikës, ma merr mendja se kjo NXEMJE, në përdorimin specifik, ka hyrë në përdorim në manualet shkollore të periudhës kur elbasanishtja ishte ende gjuhë e mësuesisë, falë edhe e traditës aq unike të Normales së Elbasanit (kur e fillova unë shkollën në vitet 1960, ishte normale – pun intended – për ta dëgjuar mësuesen të fliste elbasanishte). Dua të them se NXEMJE do të ketë qenë term i leksikut sportiv të shqipes që pa u kodifikuar leksiku i standardit dhe ashtu mund të ishte ruajtur, së bashku me antonimin e saj SHKRYDHJE (këtë e ka FGJSH, me gjasë sepse nuk bie ndesh me normën); dhe që unë e paskësha fiksuar gabim si SHKRYTHJE. Të dyja këto terma, NXEMJE dhe SHKRYDHJE, duket se janë fryt i punës krijuese të atyre punëtorëve të arsimit kombëtar që operonin në elbasanishte dhe që i sollën kulturës shqipe jo vetëm sportin e organizuar në kohën e lirë dhe në shkolla, por edhe terminologjitë përkatëse. Ka qenë pasurim dhe ashtu duhet të mbetet. Kuptimi kryesor i normatives NXEHJE është “rritje e temperaturës”, që nuk trashëgohet veçse tërthorazi te NXEMJE; dhe kjo është arsye tjetër për ta mbajtur të dytën si normative, meqë ndryshimit në formë i përgjigjet edhe një ndryshim në kuptim. Ledi Shamku-Shkreli ka shkruar së fundi për fjalë të tilla të gegnishtes, të cilave u duhen hapur dyert e leksikut normativ, sepse veç pasurojnë.

Narcist apo Narcisist?

Shqipja NARCIST, NARCIZËM, me kuptimin “ai që adhuron veten për pamjen fizike dhe për cilësitë morale”, dhe emri abstrakt përkatës, vijnë nga greqishtja e vjetër NARKISSOS që kushedi lidhet me NÁRKĒ “mpirje, shtangësi” (e njëjta rrënjë që ka dhënë pastaj edhe NARKOZË, NARKOTIK, NARKOMAN), për shkak të efektit sedativ të alkaloideve të bimës – edhe pse këtë etimologji disa të tjerë e kanë quajtur “popullore” dhe Beekes e konsideron narkissos fjalë para-indoeuropiane. Gjithsesi, NARCIZËM në shqipe ka hyrë përmes gjuhëve perëndimore, me shumë gjasë nga gjermanishtja NARZISMUS, e cila përmban një haplologji (rënien e një rrokje të përsëritur, në këtë rast -IS-). Ironikisht, fjala u fut në kulturën europiane moderne nga një psikiatër gjerman, Paul Näcke, në veprën “Die sexuellen Perversitäten”, si NARZISSISMUS, që është edhe forma etimologjikisht korrekte, sa kohë që nuk duket dhe aq e rregullt që të pranohet një formë me haplologji, në një fjalë të leksikut libror si kjo – duke qenë haplologjia karakteristikë zakonisht e ligjërimit të folur, që i ha rrokjet për lehtësi shqiptimi (e megjithatë, ja disa fjalë të tjera librore që hyrë në shqipe me haplologjinë të kryer tashmë: tragjikomik, mineralogji, morfonologji, analist, preventiv). Në fakt, gjuhë të tjera si italishtja, frëngjishtja, spanjishtja përdorin formën e plotë (fr. NARCISSISME, it. NARCISISMO, sp. NARCISISMO), madje edhe rusishtja ka НАРЦИССИЗМ, çfarë të bën të mendosh se kjo NARCIZËM e shqipes, është pranuar si normative nën ndikimin e gjermanishtes. Edhe Freud-i, që e ka përdorur formën e gjatë në gjermanishte, më në fund preferoi formën e shkurtër, sepse iu duk më e shkurtër dhe më pak keqtingëlluese (kürzere und weniger übelklingende). Leksikologët anglezë e kanë konsideruar narcism si “të gabuar”, në kuptimin “jonormative”, edhe pse fjala ndonjëherë e nxjerr kokën, sërish për shkak të haplologjisë. Gjykimi im është se, për shkak të fushës së përdorimit të fjalës, duhet të marrë përparësi lidhja tematike transparente me NARCIS-in e greqishtes së vjetër dhe mitologjisë klasike, prandaj edhe forma NARCIZËM, NARCIST janë për t’u konsideruar si jonormative.

© 2022 Shqipologji™. Të gjitha të drejat të rezervuara.

Sica dhe thika

Një buletin etimologjik ku jam abonuar, më përmendi sot fjalën SICARIO të italishtes, me kuptimin “vrasës me porosi”, dhe që italishtja moderne e ka marrë, me rrugë librore, prej latinishtes SICARIUS, “vrasës”, kjo nga një SICA, “thikë”. Dhe aty u kujtova se latinishten SICA, një lloj thike a kame e përkulur, të cilën e përdornin rëndom gladiatorët trakë (Treccani) dhe ilirë, e kanë lidhur shpesh me shqipen THIKË: disa duke parë te fjala latine një huazim nga ilirishtja, të tjerë duke parë te fjala shqipe një huazim nga latinishtja. Kjo hipotezë e dytë nuk qëndron, për arsye fonetike – një s– nistore e latinishtes, e ndjekur nga një zanore, nuk ka dhënë kurrë th– në shqipe. Sa për latinishten SICA, Michiel de Vaan – te Etymological Dictionary of Latin and the Other Italic Languages (Brill, Leiden – Boston, 2008), nuk gjen ndonjë etimologji të kënaqshme dhe përsiat se mund të jetë “huazim”; këtë tërthorazi e mbështet edhe fakti që fjala latine nuk ka lënë gjurmë në asnjë prej gjuhëve neolatine. Edhe një tekst nga poeti Ennius (“Illyrii restant sicis sibinisque fodentes”) aludon tek origjina ilire e emrit SICA. Megjithatë, hipoteza e prejardhjes “ilire” të latinishtes SICA, e mbështetur në dëshmi historike dhe kulturore të autorëve të kohës, por tërthorazi edhe nga shqipja THIKË (që mund të vazhdojë një fjalë ilire SICA) nuk kënaq plotësisht, sa kohë që këto fjalë kulturore shpesh shtegtojnë nga një gjuhë në tjetrën, së bashku me artikujt a mallrat që shënjojnë; por edhe ngaqë ende nuk është dhënë ndonjë etimologji e kënaqshme e ilirishtes SICA. Që shqipja THIKË të ketë vazhduar një ilirishte hipotetike SICA, kjo kërkon që një sibilante e ilirishtes të jetë përthyer si th- në shqipe; përgjithësisht, pranohet se th-ja e shqipes së sotme është vazhdim i një qiellzoreje të trashëguar, i një dhëmboreje, i grupit -zd, ose ka hyrë me huazime të vona nga greqishtja, anglishtja, etj. (K. Topalli, Fonetika historike e gjuhës shqipe). Prandaj hipoteza që shqipja THIKË është vazhdim i ilirishtes SICA nuk ka premisa tërësisht te shëndosha. Çabej (SE VII) – siç mund të pritej – e pranon idenë që THIKË mund të jetë fjalë vendi, që madje gjen vend brenda ndonjë barazimi indoeuropian ; por lë hapur edhe mundësinë që kjo THIKË të jetë një shumës (i singularizuar) i THEKË, me kuptimin “majë e mprehtë”; dhe ashtu të jetë pjesë e serisë metafonike THAK > THEKË > THIKË. Te ky grup, pas këtij autori, e ka vendin edhe THEKËR, meqë THEKË shënjon, në disa të folme, halat e kallirit. Kjo hipotezë e dytë, që e shpjegon fjalën THIKË si formim të brendshëm të (proto)shqipes, bind më shumë se e para – aq më tepër që THAK/THEKË gjen vend më mirë se THIKË, në barazimet leksikore indoeuropiane. Si edhe në shumë herë të tjera, prirja metodologjike e Çabejt, për ta parë leksikun si produkt zhvillimesh dhe dinamikash të brendshme, duket më e arsyeshme se krahasimet jashtëgjuhësore të drejtpërdrejta (shq. THIKË – lat. SICA) ose përfshirjet në premisa të madhësive praktikisht të panjohura, si ilirishtja. Prandaj edhe historia etimologjike e kësaj fjale, THIKË, në lidhjet e saj aq sugjestive me latinishten SICA, pjesëmarrjen e supozuar në historinë e kontakteve kulturore mes Ballkanit dhe Romës; por nga ana tjetër edhe marrëdhëniet e saj me THAK/THEKË brenda shqipes, dëshmon dilemën e historianit të leksikut shqip: lidhjet e jashtme i japin premisa të dukshme, por jo tërësisht solide, ndërsa lidhjet e brendshme janë më bindëse, por edhe më spekulative. Ajo që bën Çabej është ku e ku më e vështirë dhe kërkon njohje të thellë të shqipes, gjë që etimologët dhe indoeuropianistët e huaj nuk e arrijnë dot dhe as mund ta arrijnë.

© 2022 Shqipologji™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Punë pronorësh

Sipas rregullave të shqipes standard, pronori i vetës së dytë njëjës në pozicion pas emrit lakohet kështu: për gjininë mashkullore, DJALI YT (emërore), DJALIN TËND (rasat e zhdrejta); për gjininë femërore VAJZA JOTE (emërore), VAJZËN TËNDE (kallëzore), VAJZËS SATE (gjinore, dhanore, rrjedhore). Ata që e kanë vendosur kështu, dhe që e kanë njohur mirë shqipen, mbase do të jenë nisur jo vetëm nga konsiderata teorike të përgjithshme, por edhe nga realiteti konkret i përdorimit, për ta thyer simetrinë – meqë atje ku mashkullorja mjaftohet me kundërvënien YT/TËND, femërorja i shton kësaj një element të tretë: JOTE/TËNDE/SATE. Kjo, edhe pse kishin në dispozicion formën TAT (DJALIT TAT), që i përgjigjet formës SATE të femërores. Përndryshe, mund ta kishin përgjithësuar femëroren TËNDE edhe në rasat ku sot përdoret SATE, dhe të kodifikonin forma si VAJZËS TËNDE, të cilat përdoren rëndom; dhe ashtu do të ruhej binariteti: DJALI YT/DJALIT TËND, VAJZA JOTE/VAJZËS TËNDE.

Continue Reading »

Shkrimi i fundit i Adrian Beshajt, për disa përdorime të fjalëve të çerdhes së mbiemrave minimal dhe maksimal në shqipe, më solli në mend një kuriozitet – por edhe kundërti – në lidhje me shprehjet e tipit ul në minimum dhe ul në maksimum në shqipe, meqë disa kanë sjellë argumentin se njëra prej këtyre përmban një gabim logjik. Më shumë se për shprehje specifike, këtu kemi të bëjmë me një formulë, e cila pastaj materializohet në reduktoj në minimum/reduktoj në maksimum, pakësoj në minimum/pakësoj në maksimum, kufizoj në minimum/kufizoj në maksimum, thjeshtoj në minimum/thjeshtoj në maksimum, shkurtoj në minimum/shkurtoj në maksimum, etj.; lexuesi do të ketë me siguri shembuj të tjerë të ngjashëm. Tani, të marra në vetvete, në minimum dhe në maksimum janë kuptimisht të kundërta, meqë minimum shënjon diçka më të vogël të mundshme, ndërsa maksimum diçka më të madhe të mundshme; e megjithatë, ul në minimum dhe ul në maksimum janë sinonime, sikurse çiftet në shembujt e tjerë më lart. Në pamje të parë, njëri nga përdorimet duket të jetë i gabuar; por në fakt të dyja janë logjikisht të pranueshme; dhe kjo ka lidhje me profilin semantik të foljeve si ul, reduktoj, pakësoj, kufizoj, të cilat i referohen një procesi zakonisht të vijueshëm, gjatë së cilit kalohet nga një vlerë më e lartë te një vlerë më e ulët, pra duke ndjekur një trajektore zbritëse; dhe këtu ul në minimum do të thotë që ta çosh këtë trajektore deri në pikën më të ulët; nga ana tjetër, vetë ulja, si proces i ndryshimit të një madhësie, ka shpejtësinë dhe shkallën e vet, në kuptimin që është logjike edhe të flasësh për një maksimum të shpejtësisë ose të shkallës së uljes, që këtej edhe ul në maksimum, me kuptimin që “më shumë nuk e ul dot”, ose kufizoj në maksimum me kuptimin që “më shumë nuk e kufizoj dot”; duke shënjuar kjo në maksimum jo sasinë e madhësisë të ndryshuar nga ulja, por shkallën ose shpejtësinë e ndryshimit.

Gjoks

GJOKS është nga ato fjalë të shqipes që nuk e pret njeriu të jenë huazuar, dhe aq më pak nga turqishtja (göks) – meqë shënjon një pjesë të trupit, dhe emrat e pjesëve të trupit zakonisht nuk huazohen kaq lehtë. Edhe në shqipe, këta emra janë zakonisht të trashëguar ose vijnë nga latinishtja – si sy, veshë, kokë, qafë, zverk, faqe, buzë, duar, krah, këmbë, gju, bark, shpinë, shpatull, sup, etj. Edhe për GJOKS shqipja ka një KRAHAROR që duhet të jetë fjalë relativisht e vjetër, sikurse edhe PARZËM.

Continue Reading »

Qafir, qyfyr

Në shqipe, fjala qafir ka hyrë në periudhën osmane, nga një fjalë e arabishtes, كافر‎, e cila ka dhënë edhe turqishten kâfir dhe që, në traditën islame, i referohet dikujt që nuk beson në Zotin sipas Islamit, ose që refuzon autoritetin e Zotit, ose që nuk i pranon parimet e Islamit. E kanë përkthyer, në traditën perëndimore, si “i pabesë”, “pagan”, “femohues”, “renegat”; ndërsa në Kuran përdoret zakonisht me kuptimin “mosmirënjohës” ndaj Zotit. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe i vitit 1984 nuk e ka përfshirë, por Dizdari e jep me këto kuptime standard, sikurse edhe me kuptimin “anmik i atdheut”.

Continue Reading »