Feeds:
Posts
Comments

Archive for the ‘histori gjuhe’ Category

Para disa ditësh, shkrova një ese të shkurtër për shprehjen “me një gur vras dy zogj” në gjuhën shqipe, ku mes të tjerash përmenda edhe shprehje të barasvlershme në gjuhë të tjera europiane.

Këto krahasime dhe tabela, edhe për këtë shprehje, gjenden lirisht online; unë vetëm sa i përmenda.

Aty vura re edhe se europianët, për të treguar efikasitetin e lartë të një veprimi, përdorin në thelb tre metafora: dy zogj, dy lepuj ose dy miza. M’u duk me interes t’i shënoja këto metafora në një hartë, për të vizualizuar shpërndarjen e tyre.

Hartën e kam sjellë më lart; për ta parë, këshilloj që ta hapni në një ekran të madh.

Natyrisht edhe hartat e shpërndarjes së kësaj shprehjeje gjenden lirisht online – i vetmi kontribut “origjinal” imi është që kam përdorur imazhe jo fjalë, për të treguar shpërndarjen.

Lexuesi do të shohë menjëherë se zogjtë janë të shpërndarë në perëndim dhe në jug, lepujt në lindje, dhe mizat në qendër të kontinentit.

(more…)

Read Full Post »

Fjalë më shumë e toskërishtes, LEVEND ndeshet edhe në gegnishte, si shumë fjalë të tjera që kanë hyrë në shqipe nga turqishtja. Etimologjinë e fiksuar prej Miklosich-it nga osmanishtja, duke dhënë si kuptim “freiwilliger Soldat auf türkischen Galeeren, Vagabund, Schandbude, eig. Levantiner” e rimerr Tahir N. Dizdari te Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, duke cituar S. Frashërin, që te Kâmûs-ı Türkî e nxjerr turqishten levend (dhe levent) nga italishtja levantino, ushtar me rrogë, nga ata që vendikasit rekrutonin në Lindjen e afërme. Më parë, në Perandorinë Osmane levendët ishin ushtarë të marinës. Më vonë ka marrë edhe kuptimet “i hedhur, i pashëm, i shpejtë, trim etj.” Nga turqishtja, ka hyrë në të gjitha gjuhët e Ballkanit.

Italishtja levantino, nga ana e vet, i referohet lindjes gjeografike, it. Levante, vendi ku lind dielli (si leva, nga folja levare). Treccani e shpjegon levantino si emër me të cilin quheshin banorët e Levante-s, pra të Mesdheut lindor, veçanërisht shtresës europianizante të qyteteve komerciale të Greqisë, Turqisë (Stamboll, Smirne/Izmir), të Sirisë, Palestinës dhe Egjiptit; dhe pastaj edhe një stereotip dinak, i djallëzuar, i paskrupullt.

Në kuptimin e vet të kufizuar, si banor i Mesdheut lindor, levantini e ka origjinën nga një kulturë dhe histori specifike, e viteve kur atë det e ndanin mes tyre kryesisht Venedikasit dhe Osmanët; dhe ai, levantini, vinte nga ajo botë ku këto dy pllaka tektonike ishin në kontakt pak a shumë paqësor: qytetet bregdetare, shtresat e mesme, tregtarët; dhe prandaj edhe shënjonte një qasje specifike ndaj marrëdhënieve me tjetrin, në kontekstin kozmopolit të atyre qyteteve (lexoni më shumë këtu).

(more…)

Read Full Post »

Një mik i palodhur për punë historish kulturore të fjalëve (G.Ç.), më kujtoi se shqipja kikirik vjen nga italishtja chicchi ricchi, “kokrra të pasura” – etimologji ndoshta e saktë, por që ka nevojë për kontekst që ta përligjë.

Veç shqipes, këtë kikirik e kanë edhe serbo-kroatishtja, maqedonishtja e ndonjë gjuhë tjetër sllave në Ballkan. Sipas Kolec Topallit, që u referohet burimeve përkatëse (Gazulli, Ndreca), këto gjuhë sllave mund të kenë ndërmjetësuar, për hyrjen e fjalës në shqipe – edhe pse baza, sipas tij, mbetet italishtja chicchi ricchi.

Kikirik, ka hyrë në shqipe si fjalë kulture ose tregu – emër i një produkti ushqimor të gatshëm; përndryshe, shqiptari nuk e ka njohur dhe aq më pak kultivuar bimën e kikirikut, arachis hypogaea, me origjinë nga përtej Oqeanit.

(more…)

Read Full Post »

Emrin e maces (Felis catus), me versionet maçe, mackë, maç, etj. shqipja e ka huazuar nga sllavishtja e Ballkanit (skr mačka, sllavo-maqedonisht мачка, khs. edhe rum. mâță), me gjasë nga një formë më e vjetër (protosllavishte e rindërtuar), *maca, që gjykohet si onomatopeike – e rrjedhur nga tingulli që lëshojmë për ta thirrur macen, khs. italishten micio. Khs. edhe rumanishten pisică “mace”, me shqipen pis-pis-pis, që përdoret për të thirrur macen; dhe emrin përkëdhelës pisonare që përdoret në Jug (Gjirokastër) për macen.

(more…)

Read Full Post »

Shqipen letër e nxjerrin nga italishtja lettera dhe në analizë të fundit nga latinishta littera “shkronjë, epistull”, edhe pse kuptimi i materialit mbi të cilin shkruhet (angl. paper, ita. carta), i mbështetur në një metonimi, nuk ka qenë i zakonshëm as në italishte as në latinishte, çfarë do ta bënte letër një nga ato raste kur zhvillimi kuptimor ka kaluar nga abstraktja drejt konkretes, aq sa në shqipen e sotme letër, me kuptimin “mesazh i shkruar” na duket si metonimi e bazuar në kuptimin “material mbi të cilin shkruhet”. (more…)

Read Full Post »

Siç rrëfen Henry A. Davidson, te A Short History of Chess (Greenberg Publisher, 1949), ajo figurë e shahut që ne sot e njohim me emrin fil ka pasur më shumë emra dhe kuptime simbolike se çdo figurë tjetër. Në versionin e lashtë indian të lojës, e quanin gaja ose Bishophasti, të dyja me kuptimin “elefant,” duke qenë elefanti element madhor i formacionit luftarak të kohës në Indi. Persianët e përkthyen këtë gaja në gjuhën e tyre, si pil; dhe pastaj arabët e morën nga persianët dhe e bënë al fil, sërish me kuptimin “elefant”. Prej arabëve, fjala kaloi në gjuhët europiane si alfil (kështu sot e kësaj dite në spanishte), duke u përçudnuar në italishte më parë si delfino, dhe pastaj duke u identifikuar me alfiere – që në atë gjuhë ka kuptimin “flamurtar” dhe që e shpjegojnë si nga spanjishtja alférez, e cila nga ana e vet prej arabishtes al-fāris “kalorës”. Nga ana tjetër, edhe të diturit mes shahistëve në Europën mesjetare nuk i jepnin dot dum konceptit të “elefantit” për figurën në fjalë, sepse në oborret mbretërore të kohës dhe në fushën e betejës kish vërtet mbretër e mbretëresha, kala dhe kuaj, ushtarë dhe oficerë – por jo elefantë. Nga kjo përpjekje për t’i dhënë një interpretim këtij al-fili, francezët e deformuan fjalën në fol dhe pastaj në fou (fjalë e njëjtë me fool të anglishtes), duke shënjuar kështu lolon e oborrit mbretëror. (more…)

Read Full Post »

Panuklla

Fjala PANUKËLL, PANUKLLA sot ka mbijetuar më shumë në mallkimin “(të) shp(ë)laftë panuklla” (me versione të ndryshme) të ligjërimit bisedor dhe thjeshtligjërimit, edhe pse folësit si rregull nuk ia dinë kuptimin fjalës vetë. FGJSSH nuk e ka. Topalli, te Fjalori etimologjik, e jep me kuptimet “pece, shtupë, sukull, copë rrobe me të cilën lahet trupi i të vdekurit para varrimit (sipas how_the_plague_reshaped_the_world_1050x700ritit islamik)” dhe e ilustron edhe ai me mallkimin të shpëlaftë panuklla, duke e cilësuar si “fjalë krahinore të Elbasanit”. Mendon se “mund të jetë huazim prej italishtes panno “leckë, pece, copë pëlhure”, pannicolo “membranë”. Ndërkohë, në greqishte, πανούκλα (panúkla) ka kuptimin “murtajë” (sëmundja); po ashtu edhe në aromanishtja (vllahishtja) panukle. Brenda mallkimit “të shp(ë)laftë panuklla”, kjo fjalë pranon edhe kuptimin “leckë me të cilën lahet trupi i të vdekurit”, edhe kuptimin “murtajë”. Te mallkimi më lart, kuptimi “murtajë” tingëllon më bindës për arsye mirëfilli semantike – si sëmundje, murtaja ka më shumë “agjenci” se lecka me të cilën lajnë të vdekurit, prandaj edhe mund të përdoret më lehtë si kryefjalë; me kuptimin e dytë, do të pritej diçka si “të shplafshin me panukëll” (khs. “të prufshin në pallto”). Meqë fjala përdoret në Elbasan, ka të ngjarë të jetë huazim nga arumanishtja panukle me kuptimin “murtajë”; ndërsa shpjegimi i drejtpërdrejtë i shqipes nga italishtja pannicolo nuk bind nga pikëpamja formale; por edhe huazimi i drejtpërdrejtë nga greqishtja nuk përjashtohet. Me gjasë, arumanishtja e ka marrë fjalën nga greqishtja; ose edhe arumanishtja edhe greqishtja janë reflekse të fjalës latine (mesjetare), siç thotë Çabej (SE VI, te lema pe).

Read Full Post »

Këtë fjalë, me kuptimin “duq me të cilin hapet e mbyllet rrjedha e një lëngu a e një gazi” (Topalli) nuk e kanë as fjalori i 1954-ës, as ai i 1980-ës, edhe pse përdoret rëndom në industri dhe në ligjërimin popullor, për të shënuar një lloj valvule me obstruksion mekanik; por që ndryshon nga rubineti, sepse nuk kontrollon gjë derdhjen e lëngut.

Sara

Kolec Topalli, te Fjalori etimologjik, e shpjegon si “huazim i ri nga italishtja saracinesca, prej emrit të popullsisë arabe të saraçenëve në periudhën e kryqëzatave”, edhe pse, e thënë kështu, nuk kuptohet se çfarë lidhje ka kontrolli i rrjedhës në një tub, me saraçenët e Mesdheut në Mesjetë. Në fakt, në italishte saracinesca ka shënuar një lloj porte të kështjellës, ose të mureve rrethuese të një qyteti a të një ndërtese të fortifikuar, që mund të ngrihej ose të ulej me zhinxhirë. Mendohet se kjo lloj porte përdorej nga saraçenët, në fortesat e tyre; ose, anasjelltas, përdorej në kohën kur vendësit mbroheshin prej inkursioneve të saraçenëve. Në italishte, saracinesca shënjon edhe qepenët e dyqaneve dhe një lloj grile dritaresh, (e quajtur edhe persiana), për shkak të mekanizmit të njëjtë që përdoret për t’i lëvizur dhe funksionit të ngjashëm.

Bibliografia:

Topalli, Kolec, “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe.”
Enciclopedia Treccani, zëri saracinesca.

Read Full Post »

Roskop

Fjala Roskop, ndonjëherë edhe rroskop, mund të ketë dalë sot nga qarkullimi, por përdorej ende mbase deri nga fundi i shekullit XX për të shënjuar një orë dore të lirë dhe të cilësisë së keqe (“pa gurë”), që nuk e maste mirë kohën, ose prishej shpejt. Zakonisht në ndërtime si orë roskope, sahat roskop, por edhe më vete (ç’e ke atë roskop; të ta shes unë ty këtë roskopin tim? shiko se mos ta hedhin dhe të japin ndonjë roskop). Fjalorët e shqipes që kam mundur të konsultoj nuk e kanë. Duhet ta ketë origjinën nga një markë orësh, të quajtur kështu nga mbiemri i fabrikantit të tyre Georges Frederic Roskopf, një gjerman i nayralizuar zviceran, i pari që krijoi dhe hodhi në treg një model orësh dore të lira, për “masat punonjëse”. Me kohë, këto orë u njohën me emrin Roskopf. Se nga cila gjuhë ka hyrë fjala në shqipe, kjo mbetet për t’u sqaruar – edhe pse, në çdo rast, do të ketë ardhur së bashku me orët e importuara, zakonisht orë xhepi. Me rezervë, do të shihja si burim të fjalës atë gjuhë ballkanike, tek e cila Roskopf është thjeshtuar në Roskop, edhe pse këta emra sendesh konsumi shtegtojnë lehtë sipas rrugëve tregtare. Nuk po verifikoj dot nëse fjala ka qenë përdorur në turqishte, gjithë duke supozuar se orët e xhepit ndër shqiptarë duhet të kenë hyrë përmes tregjeve të Ballkanit osman.

Roskop

Read Full Post »

Kush si unë ka pasë mbledhur pulla poste në vitet 1960-1970, do t’i mbajë mend fjalët spiloj, spilohet, e spiluar, që përdoreshin me kuptimin tejet teknik të një pulle të dëmtuar – pse ishte hequr keq nga zarfi dhe ishte pjesërisht e grisur, i mungonte një a më shumë dhëmbëza, ose vinte pak e rrjepur, pse shtresa e poshtme i kish mbetur e ngjitur në zarf. Më dendur përdorej mbiemri prejpjesor, e spiluar, për një pullë kësisoj të dëmtuar, që vlente më pak se të tjerat. Kur na qëllonte të hiqnim ndonjë pullë nga një zarf, duhej të bënim kujdes që të mos e “spilonim”, për ç’arsye edhe e futnim më parë pjesën e zarfit me pullën sipër në ujë të ngrohtë, që të zbutej zamku, pastaj e hiqnim pullën nga zarfi dhe e linim diku të thahej. Heqja “në të thatë” nuk rekomandohej, sepse ashtu pjesë të pullës do të mbeteshin të ngjitura në zarf.

spiluar

(more…)

Read Full Post »

Older Posts »