Feeds:
Posts
Comments

Archive for April, 2024

M’u desh një ditë të përktheja në shqip termin anglisht space shuttle, që i referohet një mjeti transporti të mirënjohur anembanë botës.

Vetë termi anglisht, është një metaforë, meqë e quan anijen në fjalë sipas ngjashmërisë me sovajkën (angl. shuttle), pjesë e vegjës që lëviz në mënyrë karakteristike, me vajtje-ardhje; ose edhe një vegle të ngjashme në makinën qepëse.

Shqipja e quan sovajkën edhe drugë dhe mëqik, duke treguar në këtë pikë një shkallë pasurie të admirueshme – edhe pse fiktive (kush i thërret sovajkës drugë, nuk përdor as sovajkë as mëqik; ndryshimet në shenjues nuk i përgjigjen ndonjë ndryshimi në të shenjuar; këto sinonime janë thjesht leksikografike, ose janë kafshë të ndryshme, që i kanë futur me zor në të njëjtin kafaz në Zoo).

(more…)

Read Full Post »

Para disa ditësh, shkrova një ese të shkurtër për shprehjen “me një gur vras dy zogj” në gjuhën shqipe, ku mes të tjerash përmenda edhe shprehje të barasvlershme në gjuhë të tjera europiane.

Këto krahasime dhe tabela, edhe për këtë shprehje, gjenden lirisht online; unë vetëm sa i përmenda.

Aty vura re edhe se europianët, për të treguar efikasitetin e lartë të një veprimi, përdorin në thelb tre metafora: dy zogj, dy lepuj ose dy miza. M’u duk me interes t’i shënoja këto metafora në një hartë, për të vizualizuar shpërndarjen e tyre.

Hartën e kam sjellë më lart; për ta parë, këshilloj që ta hapni në një ekran të madh.

Natyrisht edhe hartat e shpërndarjes së kësaj shprehjeje gjenden lirisht online – i vetmi kontribut “origjinal” imi është që kam përdorur imazhe jo fjalë, për të treguar shpërndarjen.

Lexuesi do të shohë menjëherë se zogjtë janë të shpërndarë në perëndim dhe në jug, lepujt në lindje, dhe mizat në qendër të kontinentit.

(more…)

Read Full Post »

Shpesh nuk e vëmë re mizorinë idiote që struket në shprehje nga më të rëndomtat – të tipit të marrtë mortja ose e theu qafën; të cilat gjuha i ka vënë në gjumë, dhe ashtu sikur i ka amnistuar.

E tillë më tingëllon edhe me një gur vras dy zogj, që gjithnjë më ka turbulluar, me imazhin që sugjeron: sikur të mos mjaftojë vrasja e një zogu me gur (pse?), duhet që guri të vazhdojë rrugën dhe të vrasë edhe një zog tjetër.

Pyes lexuesin: kur ka qenë hera e fundit që të ka shkuar mendja të vrasësh një zog? Dhe aq më tepër me gur?

(Ne jemi burra të mirë dhe nuk i vrasim vetë zogjtë që hamë…)

Faji më çon në fëmijëri, dhe më kujton çuna që endeshin poshtë gështenjave të egra, te WC-të publike prapa Komitetit Ekzekutiv në Tiranën e atëhershme; dhe që godisnin me llastiqe precize zogjtë që mblidheshin në kurorat e atyre pemëve, për të çukitur frutat e tyre iriqe.

Aq shumë zogj, sa me një gur mund të vrisje edhe katër ose pesë.

(more…)

Read Full Post »

Një koleg më pyeti për drejtshkrimin e saktë të fjalës artifakt, që e kish ndeshur në një shkrim timin: artifakt apo artefakt?

Nuk gjej gjëkundi që këtë fjalë ta kenë pasqyruar fjalorët e referencës për shqipen, çfarë do të thotë se asaj ende nuk i është dhënë ndonjë drejtshkrim i sanksionuar – prandaj disa do ta shkruajnë artifakt, të tjerë artefakt.

Forma me i (artifakt) i referohet, për mendimin tim, anglishtes amerikane artifact; në një kohë që forma me e (artefakt) lidhet jo vetëm me italishten artefatto dhe frëngjishten artéfact, por edhe me anglishten britanike artefact.

Drejtshkrimin me e e mbështet etimologjia e fjalës, nga latinishtja arte factus, diçka “e bërë me art”. Dhe në fakt, si emër, fjala është përdorur për sende të prodhuara nga dora e njeriut, si ato që gjenden gjatë një gërmimi arkeologjik.

Por fjala ka një kuptim tjetër, me të cilin edhe unë e kam përdorur më shumë se një herë – atë të diçkaje që vrojtohet gjatë një hulumtimi ose eksperimenti (shkencor), por që shfaqet atje si rezultat i procedurës vetë.

Për shembull, disa efekte të fotografisë që i detyrohen aparatit optik me të cilin është bërë shkrepja, jo gjësë që fotografohet.

(more…)

Read Full Post »