Feeds:
Posts
Comments

Archive for January, 2023

Mbrëmë

Ndajfolja MBRËMË me kuptimin “last night” është nga ato fjalë që gjuhësia i cilëson si DEIKTIKE, meqë kuptimi i tyre nuk mund të shkëputet nga pikëvështrimi subjektiv i pjesëmarrësve në komunikim (të tilla janë edhe KËTU, TANI, SOT, NESËR); kjo do të thotë se mund t’u referohet lirisht datave të ndryshme, në varësi të momentit kur shqiptohet (khs edhe SONTE, që është tkurrje e KËSO NATE dhe CAHERË e disa të folmeve të toskërishtes, me kuptimin “sonte në mbrëmje (por më herët se sonte)”, dhe që Çabej (SE3) dhe në pajtim me Pedersenin, e nxjerr nga një pranëvënie “ca herë, disa herë, disa kohë”, një shpjegim që nuk bind, për shkak të kalimit kuptimor të pagjasë).
(more…)

Read Full Post »

Nxemje

(c) 2023 Ardian Vehbiu & Shqipologji™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.



Mbaj mend nga ora e fizkulturës në shkollë: përgatitjen e trupit për ushtrime ose për një lojë, nëpërmjet lëvizjeve të lehta, e quanin NXEMJE. Shoh tani se FGJSSH e ka lënë fjalën jashtë, me gjasë duke e parë si versionin jonormativ të NXEHJE; dhe në fakt, te përkufizimi i kësaj të fundit, lexoj: “Lëvizje të shpejta e të shkathëta, që bëjnë sportistët para një ndeshjeje a gare. Bëjnë nxehjen. Vrapojnë për të bërë nxehjen.” Por NXEMJE mund të ishte ruajtur krahas NXEHJE pa i prekur gjë normës leksikore; madje përkundrazi, duke dëshmuar aftësitë e kësaj norme leksikore për të mos ia mbyllur dyert pasurimit të leksikut me variante. Morfologjikisht, NXEMJE dhe NXEHJE janë të barasvlershme – të dyja përdorin prapashtesën -JE për të përftuar një emër abstrakt prejfoljor të veprimit. Arsyeja për diferencim ka të bëjë me kuptimin jo formën. Në fakt, kuptimi i përgatitjes së trupit për aktivitet fizik intensiv (angl. WARM-UP) mungon në kuptimet që rreshtohen te folja NXEH dhe derivati i saj NXEHEM; çfarë më lë të kuptoj se fillesa “warm-up” në përkufizimin e NXEHJE thjesht është trashëguar nga NXEMJE, nëpërmjet një operacioni kozmetik të “toskëzimit” të një fjale gege. Kjo është një nga ato efekte të normëzimit që i pështjellon përdoruesit, sepse duket sikur standardi ka licencë për t’i kapur në rrjetë dhe pastaj veshur fjalët e gegnishtes me uniformë, nëpërmjet rekrutimit normativ. Edhe pa e njohur terminologjinë e sportit dhe të gjimnastikës, ma merr mendja se kjo NXEMJE, në përdorimin specifik, ka hyrë në përdorim në manualet shkollore të periudhës kur elbasanishtja ishte ende gjuhë e mësuesisë, falë edhe e traditës aq unike të Normales së Elbasanit (kur e fillova unë shkollën në vitet 1960, ishte normale – pun intended – për ta dëgjuar mësuesen të fliste elbasanishte). Dua të them se NXEMJE do të ketë qenë term i leksikut sportiv të shqipes që pa u kodifikuar leksiku i standardit dhe ashtu mund të ishte ruajtur, së bashku me antonimin e saj SHKRYDHJE (këtë e ka FGJSH, me gjasë sepse nuk bie ndesh me normën); dhe që unë e paskësha fiksuar gabim si SHKRYTHJE. Të dyja këto terma, NXEMJE dhe SHKRYDHJE, duket se janë fryt i punës krijuese të atyre punëtorëve të arsimit kombëtar që operonin në elbasanishte dhe që i sollën kulturës shqipe jo vetëm sportin e organizuar në kohën e lirë dhe në shkolla, por edhe terminologjitë përkatëse. Ka qenë pasurim dhe ashtu duhet të mbetet. Kuptimi kryesor i normatives NXEHJE është “rritje e temperaturës”, që nuk trashëgohet veçse tërthorazi te NXEMJE; dhe kjo është arsye tjetër për ta mbajtur të dytën si normative, meqë ndryshimit në formë i përgjigjet edhe një ndryshim në kuptim. Ledi Shamku-Shkreli ka shkruar së fundi për fjalë të tilla të gegnishtes, të cilave u duhen hapur dyert e leksikut normativ, sepse veç pasurojnë.

Read Full Post »