Feeds:
Posts
Comments

Archive for August, 2022

Shqipja NARCIST, NARCIZËM, me kuptimin “ai që adhuron veten për pamjen fizike dhe për cilësitë morale”, dhe emri abstrakt përkatës, vijnë nga greqishtja e vjetër NARKISSOS që kushedi lidhet me NÁRKĒ “mpirje, shtangësi” (e njëjta rrënjë që ka dhënë pastaj edhe NARKOZË, NARKOTIK, NARKOMAN), për shkak të efektit sedativ të alkaloideve të bimës – edhe pse këtë etimologji disa të tjerë e kanë quajtur “popullore” dhe Beekes e konsideron narkissos fjalë para-indoeuropiane. Gjithsesi, NARCIZËM në shqipe ka hyrë përmes gjuhëve perëndimore, me shumë gjasë nga gjermanishtja NARZISMUS, e cila përmban një haplologji (rënien e një rrokje të përsëritur, në këtë rast -IS-). Ironikisht, fjala u fut në kulturën europiane moderne nga një psikiatër gjerman, Paul Näcke, në veprën “Die sexuellen Perversitäten”, si NARZISSISMUS, që është edhe forma etimologjikisht korrekte, sa kohë që nuk duket dhe aq e rregullt që të pranohet një formë me haplologji, në një fjalë të leksikut libror si kjo – duke qenë haplologjia karakteristikë zakonisht e ligjërimit të folur, që i ha rrokjet për lehtësi shqiptimi (e megjithatë, ja disa fjalë të tjera librore që hyrë në shqipe me haplologjinë të kryer tashmë: tragjikomik, mineralogji, morfonologji, analist, preventiv). Në fakt, gjuhë të tjera si italishtja, frëngjishtja, spanjishtja përdorin formën e plotë (fr. NARCISSISME, it. NARCISISMO, sp. NARCISISMO), madje edhe rusishtja ka НАРЦИССИЗМ, çfarë të bën të mendosh se kjo NARCIZËM e shqipes, është pranuar si normative nën ndikimin e gjermanishtes. Edhe Freud-i, që e ka përdorur formën e gjatë në gjermanishte, më në fund preferoi formën e shkurtër, sepse iu duk më e shkurtër dhe më pak keqtingëlluese (kürzere und weniger übelklingende). Leksikologët anglezë e kanë konsideruar narcism si “të gabuar”, në kuptimin “jonormative”, edhe pse fjala ndonjëherë e nxjerr kokën, sërish për shkak të haplologjisë. Gjykimi im është se, për shkak të fushës së përdorimit të fjalës, duhet të marrë përparësi lidhja tematike transparente me NARCIS-in e greqishtes së vjetër dhe mitologjisë klasike, prandaj edhe forma NARCIZËM, NARCIST janë për t’u konsideruar si jonormative.

© 2022 Shqipologji™. Të gjitha të drejat të rezervuara.

Read Full Post »