Feeds:
Posts
Comments

Archive for March, 2023

Numrat në tavëll

Lojërat e tavolinës gjithnjë i kam pasur qejf, por tavllës nuk di pse i pata qëndruar larg për shumë kohë – derisa e mësova, por vonë, gjatë stërvitjes ushtarake tremujore (zborit), pasi kisha mbaruar universitetin.

Atje kishim kohë boll për eksplorime të tilla – mbaj mend që ma pat mësuar Dor Kekoja, që ishte ekspert jo vetëm i lojës, por edhe i të luajturit: sjelljes me gurët, me zaret dhe me tjetrin, muhabetin shoqërues dhe gatishmërisë për t’u përballur me këdo.

(more…)

Read Full Post »

Rrezik se

Një shprehje idiomatike me vlerë ndajfoljore, që e dëgjoj të përdoret rëndom në shqipen bisedore, por që nuk e gjej në fjalorët: rrezik se…, me kuptimin “ndoshta, mbase, kushedi, me gjasë, mundet që, ka (shumë) mundësi që…”:

Për shembull, kur ndodh që dikush të pyesë për shëndetin e babait dikë, të cilit babai i ka vdekur, dhe ai që e rrëfen këtë, komenton:

Rrezik se nuk e ka ditur.

Shembuj të tjerë:

Rrezik se nesër do të vijë të na thotë një gjë tjetër.

Rrezik se rruga nuk hapet më deri në pranverë.

Anglisht do të ishte: probably, most likely; ndoshta edhe perhaps, maybe, possibly, conceivably.

Shprehja del në thënie ku zakonisht flitet për një të tretë, meqë gjithnjë nënkupton një supozim.

(c) 2023 Shqipologji™.

Read Full Post »

Një mik i palodhur për punë historish kulturore të fjalëve (G.Ç.), më kujtoi se shqipja kikirik vjen nga italishtja chicchi ricchi, “kokrra të pasura” – etimologji ndoshta e saktë, por që ka nevojë për kontekst që ta përligjë.

Veç shqipes, këtë kikirik e kanë edhe serbo-kroatishtja, maqedonishtja e ndonjë gjuhë tjetër sllave në Ballkan. Sipas Kolec Topallit, që u referohet burimeve përkatëse (Gazulli, Ndreca), këto gjuhë sllave mund të kenë ndërmjetësuar, për hyrjen e fjalës në shqipe – edhe pse baza, sipas tij, mbetet italishtja chicchi ricchi.

Kikirik, ka hyrë në shqipe si fjalë kulture ose tregu – emër i një produkti ushqimor të gatshëm; përndryshe, shqiptari nuk e ka njohur dhe aq më pak kultivuar bimën e kikirikut, arachis hypogaea, me origjinë nga përtej Oqeanit.

(more…)

Read Full Post »

Banakier

Kjo fjalë, BANAKIER, qartazi rrjedh nga BANAK, por me prapashtesën jo shumë produktive -IER, që ka hyrë në shqipe me emra si BANKIER, FINANCIER e KARROCIER, të gjitha huazime të reja nga italishtja – teksa BANAKIER është formim i brendshëm i shqipes. Tema BANAK, e përkufizuar në FGJSSH si “Tryezë e posaçme, e gjatë dhe e ngushtë, e mbyllur përpara e lart zakonisht me xham, ku mbahen mallrat që shiten ose ku jepen pijet, ëmbëlsirat, cigaret etj. në një birrari, në një bar-bufe, në një restorant, etj.” (angl. counter) dhe pastaj edhe si “Tryeza ku punon zdrukthëtari; pjesë e rrafshët si tryezë në një makinë për punimin e drurit dhe të metalit. Banaku i zdrukthëtarit. Banaku i sharrës”, është e afërt me BANKË, por ajo vetë, BANAK, ka hyrë në shqipe (sipas Çabejt, SE 2) nga serbishtja, në krye si fjalë dialektore e gegërishtes veriore, por pastaj e përgjithësuar; në konkurrencë edhe me BANGO, që është e toskërishtes dhe duket se rrjedh drejtpërdrejt nga greqishtja μπάνγκος, e cila vetë nga italishtja BANCO. (more…)

Read Full Post »