Ndajfolja MBRËMË me kuptimin “last night” është nga ato fjalë që gjuhësia i cilëson si DEIKTIKE, meqë kuptimi i tyre nuk mund të shkëputet nga pikëvështrimi subjektiv i pjesëmarrësve në komunikim (të tilla janë edhe KËTU, TANI, SOT, NESËR); kjo do të thotë se mund t’u referohet lirisht datave të ndryshme, në varësi të momentit kur shqiptohet (khs edhe SONTE, që është tkurrje e KËSO NATE dhe CAHERË e disa të folmeve të toskërishtes, me kuptimin “sonte në mbrëmje (por më herët se sonte)”, dhe që Çabej (SE3) dhe në pajtim me Pedersenin, e nxjerr nga një pranëvënie “ca herë, disa herë, disa kohë”, një shpjegim që nuk bind, për shkak të kalimit kuptimor të pagjasë).
Si ndajfolje kohore, del në trajtën MBRËMA (“takohemi nesër mbrëma, takohemi të shtunën mbrëma”), në ndërtime ku funksionin deiktik e marrin fjalët e përcaktuara prej saj (NESËR, TË SHTUNËN – kjo e fundit, me kuptimin “këtë të shtunë”). Nga MBRËMË ka ardhur edhe emri MBRËMJE, i cili shenjon një periudhë të caktuar të ditës, midis pasdites dhe natës, dhe që nuk është deiktik. Në dialekte, kjo MBRËMË del edhe si PRËMË (në Gjirokastër, Çamëri) dhe që duhet të jetë formë më e hershme, pa parashtesë; po ashtu del edhe në trajtën e zgjeruar MBRËMANET. Jokli dhe pastaj Çabej e lidhin me mbiemrin I MBRAMË (“i fundit”) dhe pastaj me ndajfoljen MBRAPA, që duket të jetë edhe etimologjia më bindëse, në krahasim me disa të tjera që janë sjellë. Në analogji me PARDJE ekziston edhe PARMBRËMË.
Edhe MBRËMË edhe MBRËMJE qarkullojnë prej kohësh në shqipe, në gjuhën e popullit por edhe tek autorët e vjetër, si Buzuku e Bogdani. Megjithatë, ndryshe nga MBRËMË, që është e fondit themeltar të shqipes, MBRËMJE më duket disi në vështirësi për t’u integruar në ligjërimin bisedor, duke u kufizuar më shumë si fjalë e një shqipeje librore, gjithsesi të shkruar ose të paktën të zgjedhur. Përdorime si SHËTITJA E MBRËMJES, MBRËMJE VALLËZIMI, LUTJET E MBRËMJES, MBRËMJE LETRARE, SHKOLLA E MBRËMJES tingëllojnë të gjitha librore (khs. Edhe SHKOLLA E NATËS).
Përshtypja që kam, është se MBRËMJE, në shqipen bisedore, nuk e përballon mirë konkurrencën me DARKË: “shihemi nga darka” tingëllon shumë më natyrshëm se “shihemi në mbrëmje”; njëlloj edhe “para se të bjerë mbrëmja” në krahasim me “para se të erret”. Në shumë përdorime librore, MBRËMJE rimerr kuptime të italishtes SERATA, ose të frëngjishtes SOIRÉE, ndoshta me ndërmjetësimin e rusishtes ВЕЧЕР dhe ВЕЧЕРИНК, sa kohë që këto praktika sociale dhe kulturore hynë në Shqipëri në periudhën e ndikimit sovjetik. Po ashtu, ndryshe nga DARKA, MBRËMJA nuk iu bashkëlidh dot të ngrënit në shoqëri dhe tavolinës. Përkundrazi, ndajfolja deiktike MBRËMË e përfshin edhe kuptimin e DARKËS – “çfarë bëtë mbrëmë”, nënkupton që përgjigjja do të japë informacion edhe për darkën, si periudhë e ditës, si vakt dhe si segment aktiviteti.
Si deiktike, pra e lidhur pazgjidhshëm me hapësirën dhe kohën subjektive të pjesëmarrësve në komunikim, MBRËMË e banon natyrshëm ligjërimin bisedor. “Si e kaluat mbrëmë?” kërkon informacion nga bashkëfolësi për një natë më parë, por kjo natë më parë do të identifikohet gjithnjë në raport me pozicionin dhe orientimin kohor të atyre që bisedojnë: një natë më parë nga momenti i tanishëm kur po flasim ose nga dita e sotme. Ndoshta kjo veti e ndajfoljes mund të ndihmojë për të shpjeguar edhe pse emri MBRËMJE ka disa vështirësi për t’u integruar në ligjërimin bisedor, të cilat lidhen me humbjen e DEIKSIS-it, ose të referimit ndaj subjektivitetit në thënie. MBRËMJA është thjesht ajo periudhë e 24-orëshit midis pasdites dhe natës (dhe jo midis SOT PASDITE dhe SONTE NATËN, siç do të ndodhte po të mos e kish humbur deiksis-in). Për më tepër, ky kufizim kohor, kjo ngjeshje në hapësirën midis pasdites dhe natës, ia kufizon fjalës kuptimin, në krahasim me ndajfoljen MBRËMË, e cila i referohet një periudhe shumë të hapët të 24-orëshit, duke përfshirë edhe darkën edhe natën (khs. “mbrëmë ndaj të gdhirë”).
Të krahasohet kjo me disa fjalë të tjera të prejardhura nga ndajfolje deiktike, si mbiemrat I KËTUSHËM, I ATJESHËM, I TANISHËM, I NESËRM, I DJESHËM, I VJETSHËM etj., të cilat në një mënyrë ose në një tjetër, e ruajnë marrëdhënien me deiksis-in dhe, si të tilla, hyjnë lirshëm në ligjërimin bisedor. Tek ajo listë merr pjesë, pa dyshim, edhe I MBRËMSHËM, një mbiemër që rrjedh nga MBRËMË, por që nuk ka lidhje kuptimore me MBRËMJE (I MBRËMSHËM nuk është diçka që ndodh “në mbrëmje”, por diçka që ka ndodhur “mbrëmë”).
Në shqipen në mos librore, të paktën publike dhe lehtësisht formale të gjysmës së dytë të shekullit XX, kjo MBRËMJE nga njëra anë zuri vend mirë në ligjërimin poetik, si periudhë e ditës që mund t’i kushtohej soditjes dhe meditimit; dhe nga ana tjetër, si emër i asaj pjese të ditës që vinte pas orëve të punës (dhe orarit të detyrave të shtëpisë ose të studimit), një lloj pauze e përgjithshme, që mund t’i shërbente kohës së lirë. Ndryshe nga DARKA, që mund të kalohej me të pira të rënda, MBRËMJA E VALLËZIMIT vinte shumë më e pafajshme dhe e përkorë. Regjimi totalitar nuk i shihte me sy të mirë aktivitetet – edhe publike edhe private – që vazhdonin deri natën vonë, sepse kjo mund të interferonte me orarin e punës, disiplinën dhe moralin. Ideja e përgjithshme ishte që MBRËMJA, si hapësirë simbolike e ditës, t’ia zinte vendin DARKËS; duke qenë e para më sociale, ndërsa e dyta më private. MBRËMJET zakonisht organizoheshin në publik, ndërsa DARKAT në shtëpi (kjo edhe për shkak të gjendjes së mjeruar të restoranteve). Rezistenca e DARKËS ndaj MBRËMJES ka qenë edhe politike.
(c) 2023 Ardian Vehbiu & Shqipologji™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Mbrëmë
January 31, 2023 by Xha Xhai
Leave a comment