Gjasat janë jo të pakëta, që një shqipfolës sot të mos e bëjë dot lidhjen midis fjalës zyshë, si titull dhe emër për mësuesen, dhe fjalës zonjushë, të cilën Fjalori i Shqipes së Sotme e pranon si të vetmen formë që përdoret “kur i drejtohemi me nderim” mësueses.
Fonetikisht, zyshë është përftuar nga zonjushë si pasojë e kontraksionit, dhe nëpërmjet formës së ndërmjetme zjushë; thjeshtime të tilla janë normale në të folurit e fëmijëve dhe për titujt që u paraprijnë emrave – të shihet këtu edhe presor nga profesor.
Megjithatë, presor ka mbetur si fjalë e ligjërimit të thjeshtë, pa arritur të pavarësohet kuptimisht dhe leksikisht; ndërsa zyshë është emancipuar tashmë, duke marrë statusin e një fjale të pavarur, me kuptimin “mësuese”; por pa ndonjë barasvlerë mashkullore (nuk ekziston ndonjë emër i ngjashëm për mësuesin).
Si e tillë, ajo mund të krahasohet me anglishten schoolmistress, ose me italishten maestra; vetëm se në këto dy gjuhë, edhe mistress edhe maestro/a kanë kuptime dhe përdorime të tjera.
Përkundrazi, zyshë është fjalë e re, edhe fonetikisht edhe kuptimisht, që i ka humbur lidhjet e prejardhjes me zonjushë dhe është specializuar tashmë për të shënjuar mësuesen grua, si figurë kyçe në marrëdhëniet sociale brenda shkollës.
Shkalla e përhapjes së saj mbetet për t’u hulumtuar – por përdoret patjetër në Tiranë dhe gjetiu në Shqipëri, së paku në mjediset urbane.
Mbaj mend që në shkollë na udhëzonin që t’i shmangeshim fjalës zyshë dhe të përdornim, në vend të saj, mësuese (të shqiptuar msúse). E gjithë kjo, në kuadrin e disiplinimit të përgjithshëm të nxënësit, në trajtën “nuk duhet thënë ashtu, por kështu.”
Përndryshe, formën mësuese e dëgjon sot e kësaj dite në filma (mësuese Linda, mësuese Mira), por përndryshe ajo pati vështirësi të zinte rrënjë në atë përdorim, së paku në ligjërimin bisedor.
Nga ana e vet, zonjushë për shumë dekada erdhi dhe u deklasua, së bashku me grupin zot(i), zotëri-a, zotnia, zotnia juej, zotrote, zonjë etj., si formë drejtimi karakteristike për ligjërimin borgjez dhe rendin borgjez të marrëdhënieve sociale. Nuk është se u mënjanua nga shqipja, por erdhi duke fituar nota ironike, duke shënjuar shpesh vajzën e përkëdhelur.
Ekzistonte, ndërkohë, një traditë që nga kohët e Mbretërisë, për t’i quajtur mësueset zonjusha/zojusha, kushedi edhe ngaqë këtë punë e kryenin rëndom vajza të reja, të pamartuara. Por, në fushën kuptimore të arsimit, zonjushë shumë shpejt i humbi lidhjet me zonjë, për t’u specializuar vetëm si titull i ndajshtuar emrit të përveçëm: në klasë hyri zonjushë Drita; por në klasë hyri mësuesja (në klasë hyri zonjusha tingëllonte e vjetruar që këtu e 40-50 vjet më parë).
Duke pasur parasysh edhe përdorimet e mëvonshme të zyshë, mund të themi me siguri se zonjushë është përdorur edhe si titull në trajtën thirrore, ose si një formë e lejuar për fëmijët që t’i thërrisnin mësueses – për fat të mirë, askush nuk kish sugjeruar që të përdorej forma shoqja mësuese ose diçka e ngjashme.
Në shkollat fillore dhe tetëvjeçare, personeli mësimor dominohej nga vajzat dhe gratë; mësuesit ishin gjithnjë të paktë. Siç e zëvendësonte mësuesja nënën në hapësirën sociale, mësuesi nuk mund të pretendonte kurrë të zëvendësonte babain. Dallimi mes mësueses dhe mësuesit nuk ishte thjesht dallim gjinor.
Që këtej edhe nevoja, sado e pavetëdijshme, për të pasur një fjalë të posaçme pikërisht për mësuesen femër; dhe që këtë nevojë erdhi dhe e plotësoi zyshë, kjo ndodhi rastësisht; dhe vetëm ngaqë fjala zonjushë u kontraktua kaq shumë, sa rezultuesja zyshë i humbi lidhjet me të; aq sa ia zuri pastaj vendin edhe fjalës mësuese në përdorime të zakonshme – jo si titull i ndajshtuar ose thirrore.
Shqipja përfundoi kështu me të paktën tre emra, për të njëjtën figurë profesionale: zyshë, mësuese dhe arsimtare; kjo e fundit e kufizuar brenda ligjërimit burokratik ose të zyrës. Sinonime të tjera, si profesoreshë ose pedagoge do t’i marrim më shumë si hiponime, ose përdorime të specializuara.
Zyshë u përdor pastaj natyrisht edhe për edukatoren e kopshtit; sikurse vazhdoi të përdoret, me kufizime, edhe për pedagoget universitare.
E megjithatë, si njësi leksikore e pavarur zyshë e ruajti deri diku semantikën relacionale; njëlloj si emrat e farefisnisë. Kur dikush thotë ose shkruan zyshë, është logjike të supozosh se ky dikush është fëmijë ose nxënës; ose që zysha është e tillë në raport me fëmijën a nxënësin.
Edhe pse fjala vetë nuk i plotëson kriteret, për t’u konsideruar si e ligjërimit të fëmijëve, le të themi se kur përdoret në ligjërim, është gjithnjë në lidhje me një fëmijë ose nxënës; për shembull, babai mund t’i thotë nënës: “takova sot në mëngjes zyshën e Titit”, ku Titi është djali i tyre; ose t’i thotë Titit: “i more leje zyshës, që u largove nga klasa?”; por ka më pak gjasë të thotë: “Motra ime pat punuar si zyshë në shkollën 20-Vjetori”.
Leave a comment