Një ndërtim foljor përsëritës të cilit nuk i kuptohet lehtë mekanizmi logjik:
Ia kishin shtruar me të pirë dhe këndonin apo s’këndonin!
Këtë përdorim të lidhëzës apo FShS e shpjegon si intensifikues (këndonin shumë, këndonin mirë):
Djali ishte shtrirë përdhe dhe bërtiste apo nuk bërtiste!
Lyhej apo nuk lyhej para pasqyrës, si të ishte grua e rritur!
Këtu foljen e gjen zakonisht në vetë të tretë, më pak të dytë dhe më pak akoma në vetë të parë.
Që veta e parë nuk pranohet kollaj, kjo të bën të mendosh për origjinën e këtij ndërtimi nga thëniet pyetëse (bërtiste apo nuk bërtiste?).
Nga ana tjetër, intonacioni me të cilin shqiptohen këto thënie (që i ndesh zakonisht në ligjërimin e folur) të bën të mendosh për një modalitet habitor të thënies; ku vetë ndërtimi shenjon praninë emotive të subjektit folës.
Të krahasohet kjo me ndërtime të ngjashme me dhanoren të ashtuquajtur “etike”:
Më lyhej para pasqyrës, si të ishte grua e rritur!
Ç’më lyhesh para pasqyrës, si të jesh grua e rritur?
Modaliteti habitor mund të bashkëshenjojë distancim, përbuzje, ironi, hilaritet, indinjatë dhe të tjera reagime emocionale të folësit.
Tani, nga ana kuptimore, një ndërtim si lyhej apo nuk lyhej, ku e njëjta folje përsëritet më parë në formë pohore dhe pastaj në formë mohore, me ndërmjetësimin e lidhëzës veçuese apo, mund të përligjet nëpërmjet efektit retorik të kundërvënies lyhej/nuk lyhej, e cila në këtë kontekst intensifikon pikërisht nëpërmjet pranëvënies së të kundërtave.
Mund të mendohet se veprimi i shenjuar është kaq flagrant, saqë vetë absurditeti i mohimit përkatës e amplifikon.
Të krahasohet me një ndërtim tjetër përsëritës:
Folë, si të mos flasësh?
Erdha, si nuk erdha?
Erdha, si të mos vija?
Të vesh, si të mos vesh?
Ku pranëvënia pohim/mohim ka njëlloj efekt intensifikues (erdha, si nuk erdha = doemos/natyrisht që erdha). Edhe këtu intensifikimi arrihet tërthorazi, duke i tërhequr vëmendjen bashkëbiseduesit për absurditetin e alternativës mohore.
Në ndërtimin:
Lyhej apo nuk lyhej para pasqyrës, si të ishte grua e rritur!
Pyetja implicite (lyhej apo nuk lyhej) është fosilizuar, por nuk është se është zhdukur krejt, as është neutralizuar.
Të krahasohet kjo me pyetjen e tipit:
U veshe apo s’u veshe? Ke një orë që je mbyllur në dhomë!
Ore, do luash apo s’do luash ti? Hidhe letrën se na plase!
Je bërë apo s’je bërë gati? Kam gjysmë ore që pres!
Do vish apo s’do vish? Të nisem përpara unë?
E cila ka të njëjtën strukturë sintaksore, por kuptim tjetër; gjithsesi, edhe në këtë rast, folësi (pyetësi) pret që tjetri të përgjigjet pozitivisht, në kuptimin që dy alternativat (pohore vs. mohore) nuk janë të barasvlershme.
Kështu, pyetja që i bëhet dikujt që po ha:
Mbarove apo s’mbarove/s’ke mbaruar akoma?
Shpreh një farë irritimi të folësit (pyetësit) në lidhje me mundësinë që të marrë si përgjigje pjesën e dytë të thënies (prit, s’kam mbaruar akoma).
Leave a comment