Po e ndjekim konfliktin e Ambasadës së ShBA në Tiranë me gazetën Shekulli, konflikt që i referohet drejtpërdrejt një artikulli të Ilir Yzeirit në këtë gazetë.
Sipas letrës së protestës nga Zyra e Çështjeve Publike të asaj ambasade,
[A]rtikulli i Z. Yzeiri shkoi shumë përtej kufijve të gazetarisë profesionale dhe opinioneve. Përkundrazi, kapërceu kufirin dhe u shndërrua në një sulm personal të papërshtatshëm dhe ad-hominem ndaj Ambasadorit Arvizu dhe Shteteve të Bashkuara. Përgojimet e lidhura me racën dhe etninë veçanërisht ishin të pavend për një gazetë, e cila pretendon të përfaqësojë opinionin kryesor.
Për çfarë e ka fjalën pikërisht letra?
Ndoshta për këtë paragraf të artikullit të Yzeirit, ku ai i drejtohet ambasadorit Arvizu me këto fjalë:
[N]uk është e gjetur përpjekja që bëni ju për t’u treguar se jeni një njeri i dashur me popullin. Këtyre në shqip ne u themi “kinezërira”. Ju e njihni mirë psikologjinë e kinezëve të Maos dhe heroin Lej Fen. Ju mund të lexoni edhe romanin “Koncert në fund të dimrit” të shkrimtarit tonë të madh Kadare. Atje vizatohet bukur ajo që ne i themi “kinezëri”. Në fakt, historia që treguat […] ju me atë gruan me fëmijën që ju e takuat dhe përkëdhelët edhe fëmijën, të më ndjeni, po nuk ishte e gjetur. Ky lloj populizmi në Shqipëri nuk ngjit, përkundrazi bën efekt të kundërt.
Ka mundësi që ambasadori Arvizu të jetë ndier i sulmuar personalisht nga akuza për “kinezëri” dhe aluzionet për psikologjinë e kinezëve të Maos dhe heroit Lej Fen; po të kemi parasysh edhe origjinën e tij etnike nga Azia (japonez nga e ëma).
Po çfarë janë kinezëritë pikërisht?
Shqipja kinezëri, e popullarizuar nga Ismail Kadareja në romanin e cituar prej Yzeirit, i përgjigjet, formalisht frëngjishtes chinoiserie.
Në frëngjishte, kjo fjalë shënjon para së gjithash diçka karakteristike kineze; në shumës, ajo u referohet sendeve të artit, të luksit, të zbukurimit që prodhohen në Kinë dhe/ose u përgjigjen shijeve artistike të përpunuara brenda kulturës tradicionale kineze; në kuptimin figurativ, gjithnjë në shumës, fjala shënjon metaforikisht sjellje ose veçori që zakonisht shoqërohen me natyrën psikologjike të kinezit personazh të botëkuptimit folklorik europian – të tilla si bizarreritë, mania për t’i ndërlikuar gjërat dhe mendimet tej mase, ekstravagancën, qimen në vezë, dredhinë.
Filli lidhës këtu është ndërlikimi i ekzagjeruar – në sendet e zbukurimit dhe në sjellje.
Në anglishte termi përdoret zakonisht për të shënjuar një stil ose mënyrë zbukurimi, si dhe sendet e prodhuara sipas atij stili; kuptimi tjetër, ai figurativ, ndeshet shumë rrallë.
Përkundrazi, në romanin e Kadaresë të cituar më sipër, dhe pas gjase edhe në shkrimet e Enver Hoxhës (ky i ndikuar thellë prej kulturës frënge), kinezëri është përdorur rregullisht për të shënjuar një lloj sjelljeje dredharake, të mefshtë, tinzare, hipokrite dhe të çuditshme, gjithsesi të papranueshme, nga ana e zyrtarëve kinezë të asaj kohe.
Çështja mund të reduktohet në një problem komunikimi; kultura kineze është kaq e ndryshme nga ajo europiania, sa edhe në kushtet diskursive optimale, konteksti paragjuhësor nuk funksionon; presupozimet mes palëve nuk përkojnë; mimika, gjestet, pritjet (expectations) dhe kodet e protokollit janë të ndryshme.
Po vallë a nuk ndodh i njëjti débâcle në komunikim, mes ambasadorit Arvizu dhe autorit Yzeirit në gazetën Shekulli? E njëjta mosmarrëveshje, që zë fill nga mungesa e presupozimeve të përbashkëta mes të dy palëve? Në kulturën shqiptare, të paktën folklorike, përçmimi për të huajin tolerohet, madje përdoret për t’ia shtuar kohezionin grupit; sa më i huaj, aq më shumë do të përçmohet; edhe pse është fjala gjithnjë për përçmim në nivelin simbolik, që nuk përthyhet në situata reale, praktike. Përkundrazi, amerikanishtja PC (politikisht korrekte) e ka kthyer në tabu stereotipinë dhe profilimin e tjetrit sipas prejardhjes etnike.
Keqkuptimi këtu ka ndodhur në momentin kur fjalët e artikullit të Shekullit, të destinuara për konsum të brendshëm, i kanë rënë në vesh një diplomati nga një kulturë tjetër. Edhe përkatësia etnike e diplomatit vetë, në këtë rast, nuk ka ndihmuar; sikurse nuk do të ketë ndihmuar zelli i tepruar i ndonjë përkthyesi të ambasadës…
Leave a comment