Në shqipen bisedore ndeshen disa përdorime kureshtare të ndajfoljes përemërore ashtu.
Fjalori i Shqipes së Sotme (1984) pranon një përdorim të kësaj ndajfoljeje me kuptimin “as mirë as keq, çka, disi.”
Ky përdorim ilustrohet nga shembulli:
Si ka qenë babai?
Ashtu.
Megjithatë, mbeten për t’u sqaruar arsyet e përdorimit të një ndajfoljeje me kuptim në thelb deiktik, në vend të një tjetre me kuptim krejt të qartë (çka); si dhe ka vend për të kërkuar nëse funksioni deiktik te kjo ndajfolje është ruajtur apo jo.
Unë mendoj se është ruajtur disi; meqë ashtu, në rastin më sipër, shenjon vijueshmërinë – në kuptimin që babai është ashtu siç ishte edhe më parë, nuk ka ndonjë ndryshim.
Çfarë është lënë jashtë, deri më sot, është funksioni shmangës i ndajfoljes ashtu; e cila, në disa kontekste, përdoret edhe për të kumtuar se folësi për arsye të ndryshme nuk dëshiron ta përdorë fjalën e saktë, ose nuk është i sigurt se ç’fjalë të përdorë.
Natyrisht, shmangia mbetet e lidhur ngushtë me eufemizmin si dukuri leksikore.
Të vërehet thënia e mëposhtme:
Sa ashtu që u tregua gjyshi!
Ç’kuptim ka fjala ashtu në këtë thënie? Natyrisht, kuptimin e di vetëm folësi, por folësi parapëlqen të mos e cilësojë drejtpërdrejt me ndonjë mbiemër (i fortë, zemërmirë, i patundur, i zgjuar, etj.); meqë folësit shpesh nuk i intereson emërtimi i cilësimit, por vetëm përcjellja e një ngarkese emocionale të caktuar.
Zakonisht bashkëbiseduesi mund ta marrë vesh, nga konteksti, se për çfarë është fjala; ose të paktën do ta ketë të qartë nëse folësi e miraton apo e shpërmiraton sjelljen ose veprimin e gjyshit. Për shembull, dikush mund të ketë thënë një fjalë të rëndë, por gjyshi nuk e ka bërë veten, është përmbajtur, nuk i ka dhënë rëndësi, është përpjekur ta kalojë lehtë incidentin. Folësi e ka vënë re këtë dhe e miraton; por ndoshta nuk e ka të lehtë ta gjejë fjalën përkatëse ose të zgjedhë nga një bashkësi sugjerimesh kontekstualisht sinonimike (me takt, i sjellshëm, i urtë, i mençur, dinak, largpamës, i kujdesshëm, i njerëzishëm, diplomat, paqësor). Që këtej, mjaftohet të shprehë miratimin, duke iu referuar kësaj bashkësie në mënyrë indeksikale, me anë të ndajfoljes ashtu.
Ja edhe ndonjë shembull tjetër:
Pse kaq ashtu ky djalë?
Më bëri përshtypje Sazani. Shumë ashtu.
Shprehja shumë ashtu është në kufi të gramatikalitetit; meqë i përket regjistrit të ligjërimit të thjeshtë. Në përgjithësi, përdorimi i tepruar i ndajfoljeve përemërore (deiktike) është shenjë e përtacisë në ligjërim, ose e familjaritetit të madh mes bashkëbiseduesve, që kompenson për paqartësinë e fjalëve.
Me fjalë të tjera, ashtu në funksion shmangës ndeshet zakonisht në shkëmbime të mbizotëruara nga konteksti dhe parateksti.
Për shembull, në një bisedë vajzash shoqe gjimnazi, duke komentuar për një shokun e tyre që sapo u kaloi pranë, në rrugë, pa i përshëndetur:
Sa ashtu ky sot?
Po pra. Shumë ashtu.
Ideja, në këtë mes, është se shmangia e fjalës implikon (madje riprodhon) familjaritet mes bashkëfolësve; meqë u konfirmon se këta e njohin njëri-tjetrin aq mirë, sa nuk ka nevojë të jenë eksplicitë, veçanërisht kur nuk janë të sigurt se çfarë fjale të përdorin pikërisht, ose kur konotacioni e mbyt denotacionin.
I ligjërimit të thjeshtë është edhe përdorimi i ashtu si folje (më saktë, si vend-ruajtëse për foljet):
[Nëna i drejtohet babait, me fëmijën e vogël aty pranë]
Do ta ashtu këtë tani?
Në thënie të tilla, ashtu zëvendëson një folje të cilën fëmija nuk duhet ta dëgjojë (do ta vëmë në gjumë, do t’i bëjmë banjë, do ta shpiem te doktori, do ta çojmë në çerdhe, do ta ushqejmë, etj.; kjo varet nga çfarë nuk i pëlqen fëmijës). Të vërehet, në këtë rast, edhe përdorimi i përemrit këtë për fëmijën, me shpresë se ky nuk do ta marrë vesh se për çfarë është fjala (zakonisht në situata të tilla janë të rriturit ata që gënjejnë veten).
Edhe një herë tjetër, ashtu përdoret me funksion shmangës. Ndryshimi nga eufemizmi, në këtë rast, ka të bëjë me faktin që eufemizmi e zëvendëson një fjalë me një tjetër më pak ofensive (p.sh. nani-nani për gjumë), ndërsa ndajfolja ashtu e mënjanon fjalën përkatëse krejt, duke e zëvendësuar me një vend-ruajtëse (placeholder).
Leave a comment